Lidhje

Luis Libi: Presidenti Bush ka autorizuar nxjerrjen e informacioneve delikate të zbulimit


Ish-ndihmësi i lartë i nënpresidentit amerikan, Dik Çeni, citohet në disa dokumente gjyqësore të ketë thënë se Presidenti Bush kishte autorizuar nxjerrjen e informacioneve delikate të zbulimit rreth Irakut.

Në dokumentet e gjykatës federale, Lewis Libby citohet të ketë thënë se zoti Çeni i kishte thënë atij se presidenti kishte dhënë miratimin që gazetarëve t’u jepen informacione të zbulimit të para luftës rreth Irakut.

Dokumentet e gjykatës nuk sugjerojnë se janë bërë veprime të gabuara, por Presidenti Bush ka thënë në mënyrë të përsëritur se ai kundërshton çdo lloj publikimi të informacioneve sekrete.

Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Herri Rid, thotë se Presidenti Bush duhet të tregojë plotësisht pjesëmarrjen e tij në atë që ai e cilëson si rrjedhje e përzgjedhur e informacionit sekret.

Hetuesit ende po përpiqen të gjejnë se kush e zbuloi indentitetin e operatives së CIA-s, bashkëshorti i së cilës, Xhozef Uilson, ishte kritik i ashpër i politikës amerikane në Irak dhe prokurori në këtë çështje thotë se ka dokumente që tregojnë se administrata kërkonte ta deskreditonte zotin Uilson.

Dokumentet që u paraqitën dje në gjykatë thonë se zoti Libi e kishte kuptuar që Nënpresidenti Çeni kërkonte që ai të fliste me gazetarët rreth Irakut dhe zotit Uilson.

Në dokumente thuhet se më pas zoti Libi u tregoi gazetarëve rreth bashkëshortes së zotit Uilson, agjentes së Cias.

Zbulimi i informacionit sekret rreth Irakut përkoi me pyetjet në rritje nga ana e kritikëve lidhur me arsyet e administratës për të hyrë në luftë.

XS
SM
MD
LG