Lidhje

Këngëtarja Parashqevi Simaku paraqet albumin Jehonë nga Iliria


Këngëtarja shqiptare Parashqevi Simaku vuri në qakullim javët e fundit një album në CD të titulluar “Jehonë nga Iliria”, me 10 këngë në gjuhën shqipe. E veçanta është se albumi i ri nxirret në shitje në disa nga rrjetet prestigjoze të dyqaneve amerikane.

“Anës Lumejve”, është një nga 10 këngët e albumit të ri “Jehonë nga Iliria” të Parashqevi Simakut. Kënga me tekst të Fan Nolit, u kushtohet emigrantëve shqiptarë kudo në botë dhe është në thelb mall për atdhenë.

Natyrisht, kohët kanë ndryshuar shumë që kur u shkruan këto vargje. Jetojmë në epokën e internetit, të komunikimit të rrufeshëm me e-mail, të ipodeve dhe kur mesazhet muzikore përçohen shumë lehtë nga njeri kontinent në tjetrin.

Por për Parashqevi Simakun malli për Shqipërinë mbetet, siç mund të kuptohet edhe nga tingëllimi që u sjellin këngët e saj bashkatdhetarëve. “Anës Lumejve” duket sikur vajton në interpretimin e Simakut, e cila kujdeset për çdo tingull dhe për çdo fjalë që mbush këngën e saj.

Albumi në CD me producent kitaristin Robert Nolfe dhe vetë Simakun, sjell edhe tema të tjera mjaft të dashura për këngëtaren, e cila krijoi një stil lehtësisht të dallueshëm qysh në Shqipëri para se të imigronte në Shtetet e Bashkuara.

Albumi i ri vazhdon të sponsorizohet nga rrjetet e specializuara të shitjeve muzikore. Sony/BMG dhe rrjeti i librarive Borders janë dy gjigandët amerikanë që kanë marrë përsipër reklamimin e Jehonës nga Iliria. Ditët e fundit, Parashqevi Simaku interpretoi në një superlibrari Borders në Manhatan si dhe nënshkroi autografe.

Disku mund të shkarkohet në mënyrë dixhitale përmes distributorit tashmë të njohur iTunes të kompanisë Apple. Ai mund të blihet në rrjetet e dyqaneve të specializuara për disqet në të gjithë Amerikën si Tower Records apo Virgin Megastores dhe shitet edhe nga rrjetet e dyqaneve të tillë popullorë si Best Buy dhe Circuit City.

Këngëtarja ka njoftuar se do t’ja dhurojë të drejtën e riprodhimit dhe shpërndarjes së albumit të saj botuesve të ndryshëm në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.//ii

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG