Lidhje

Roli i Presidentit Bush në nxjerrjen e informatave të zbulimit mbi programin irakian të armëve


Një republikan me peshë në kongresin amerikan thotë se Presidenti Bush dhe Nënpresidenti Dick Cheney duhet t’i tregojnë popullit amerikan mbi rolin e tyre në nxjerrjen e informacioneve të zbulimit në lidhje me Irakun.

Autor i thirrjes drejtuar Presidentit Bush e Nënpresidentit Dick Cheney ishte Senatori Arlen Specter - kryetar i Komisionit Juridik të Senatit. Në një emision të televizionit Fox atij iu bë pyetja në lidhje njoftimet se Presidenti Bush ka autorizuar bërjen publike të informacioneve sekrete të zbulimit që janë shfrytëzuar për të diskredituar kritikues të luftës në Irak. “Duhet t’i shkojmë në fund të kësaj çështjeje në mënyrë që të mund të beëhet vlerësimi nga populli amerikan”.

Zbulimi i rolit të numrit një dhe dy të Shtëpisë së Bardhë doli në dritë në dokumentat e gjyqit në lidhje me këtë çështje të Lewis Libbyt, ish-shefi i personelit të nënpresidentit Dick Cheney. Prokurori i kësaj çështjeje tha se zoti Libby dëshmoi para një jurie të madhe se është autorizuar nga Presidenti Bush të zbulojë për median informacion nga një dokument zbulimi mbi Irakun në vitin 2003. Libby tha se orientimi iu dha atij nga Nënpresidenti Cheney.

Senatori Specter tha se në bazë të ligjeve amerikane, presidenti i gëzon kompetencat për të çklasifikuar informacionin nga sekret në josekret. Ai sqaron se ky problem nuk ka të bëjë me ligjshmërinë e veprimit, por me synimin. “Duhet të jepet shpjegim i hollësishëm mbi veprimin e Nënpresidentit Cheney, çfarë i tha presidenti atij dhe të jepet shpjegim nga vetë presidenti në mënyrë që të mund të bëhet vlerësimi i duhur”.

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë idenë se Presidenti Bush e çklasifikoi informacionin pikërisht për arësye politike. Por disa kritikues vazhdojnë të mos binden, ndër të cilët edhe senatori John Kerry – kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet presidenciale të 2004-ës. Ai foli në televizionin NBC. “Ky veprim nuk kishte synim informimin e Ameikës, por fshehjen e të vërtetës”.

I gjithë ky informacion doli gjatë një hetimi për të gjetur se kush e nxori identitetin një oficereje të Cia-s – tani në pension – Valerie Plame. Zoti Libby akuzohet se ka gënjyer hetuesit dhe penguar drejtësinë në këtë çështje.

Askush nuk ka akuzuar presidentin dhe nënpresidentin se kanë urdhëruar drejtpërdrejt zbulimin e identitetit të zonjës Plame për median. Por bashkëshorti i saj, ish-ambasadori Joseph Wilson - kritik prej një kohe të gjatë i administratës së Presidentit Bush në lidhje me politikën për Irakun - vë në haptas në dyshim pretendimin e Presidentit Bush se Sadam Huseini po kërkonte materiale për prodhim armësh bërthamore.

Zoti Wilson tha për televizionin ABC se duket qartë që administrata kishte një strategji të hartuar çinformimi për t’ia kundërvënë kritkuesve të luftës. “Sigurisht është dashur prej shumë kohësh që Shtëpia e Bardhë japë sqarime të plota lidhur me këtë çësthje”. Ambasadori Wilson tha se transkriptet e dëshmive të Presidentit Bush dhe nënpresidentit Cheney dhënë hetuesve me dyer të mbyllura duhet të bëhen publike. //ad//

XS
SM
MD
LG