Lidhje

Dilemat morale të përzgjedhjes së gjinisë së fëmijës


Ditët e fundit një doktor në Indi u dënua me dy vjet burg pasi kishte zbuluar gjininë e një fëmije që nuk kishte lindur ende dhe pastaj kishte rënë dakord që ta abortonte, sepse ishte vajzë. Llogaritet që rreth 10 milionë fetuse femra janë abortuar në Indi gjatë 20 vjetëve të fundit. Ligji indian e ndalon abortin nëse arsyeja e vetme është që foshnja është femër. Ka edhe mënyra të tjera për të përzgjedhur gjininë e fëmijës, por edhe ato kanë ngjallur polemika.

Si do t’ia bënit po të kishit tre djem dhe të donit një vajzë? Ose e kundërta? Në shumë vende, çiftet kanë filluar ta përzgjedhin seksin e fëmijës, zakonisht përmes abortit. Në Kinë, ashtu si edhe në Indi dëshira për të pasur djem ka sjellë si rezultat çekulibrimin mes gjinive.

Por aborti nuk është mënyra e vetme për të siguruar gjininë e fëmijës. Çiftet mund të zgjedhin t’i nënshtrohen një ndërhyrjeje mjekësore të quajtur diagnozë paraprake gjenetike. Kjo ndërhyrje është 100 për qind e saktë.

John dhe Kristin Magill e përdorën atë për t’i shtuar familjes së tyre dy djem binjakë, pasi kishin pasur tri vajza. Kjo procedurë kishte si qëllim të ndihmonte çiftet me çrregullime gjenetike që të lindin fëmijë të shëndetshëm.

Por shumë çifte të interesuara për këtë ndërhyrje nuk e kërkojnë ndihmën e specialistëve si Dr. Jeffrey Steinberg, për të shmangur sëmundjet dhe defektet gjenetike. “Janë bërë 2 mijë çifte tani tek të cilët e kemi kryer këtë ndërhyrje. 85-90 për qind e këtyre çifteve e kanë bërë thjesht për përzgjedhje seksi,” thotë mjeku.

Përzgjedhja e gjinisë së fëmijës është e paligjshme në një numër të madh vendesh. Por jo në Shtetet e Bashkuara. Një studim i kryer nga Instituti i Universitetit Johns Hopkins për Gjenetikën dhe Politikën Publike tregon se rreth 40 për qind e amerikanëve janë dakord me përdorimin e analizave gjenetike për të përcaktuar gjininë e fëmijëve të tyre, përfshirë Kristin Magillin. “Mendoj se është një shans i mirë për një familje që është në të njëjtën situatë si ne”.

Procedura është e kushtueshme: 18 mijë dollarë vetëm për një përpjekje. Megjithatë ka edhe një ndërhyrje shumë më pak të kushtueshme që ka të bëjë me përzgjedhjen e spermës dhe inseminimin artificial. Me këtë teknikë 9 nga 10 çifte që duan një vajzë, arrijnë të bëhen me vajzë dhe 7 nga 10 çifte bëhen me djalë, kur e duan atë. Askush nuk e di se sa çifte përdorin këto teknologji përzgjedhjeje.

Në Shtetet e Bashkuara nuk duket se njerëzit kanë parapëlqime për një seks të veçantë, sipas Susannah Baruch të Institutit për Gjenetikën dhe Politikat Publike. Por ajo thotë se përzgjedhja e seksit të fëmijës ngre shqetësime nga ana etike. “Ka pasur kundërshtime për përzgjedhjen e seksit, me logjikën që përforcon diskriminimin gjinor dhe stereotipet. Ky është një nga shqetësimet. Një tjetër është se ndryshon marrëdhënien mes prindërve dhe fëmijëve duke u lejuar prindërve të zgjedhin diçka për fëmijën që në rrethana të tjera duhet të ndodhte natyrshëm,” thotë zonja Baruch.

Instituti i Universitetit Johns Hopkins për Gjenetikën dhe Politikën Publike po mbledh tani të dhëna për të gjetur sesa shpesh çiftet zgjedhin gjininë e fëmijës. //ad//

XS
SM
MD
LG