Lidhje

Presidenti iranian përshendet suksesin në pasurimin e uraniumit


Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, thotë se Teherani ka pasuruar uranium të një niveli të tillë, për t’u përdorur në uzina bërthamore. Në një fjalë që mbajti sonte dhe që u transmetua me televizion, zoti Ahmadinexhad përsëriti edhe një herë se Irani nuk përpiqet të prodhojë armë bërthamore, siç e akuzojnë atë Shtetet e Bashkuara. Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për armë bërthmamore, ashtu sikurse edhe për uzina bërthamore. Kreu i Organizatës së Energjisë Bërthamore të Iranit tha se uzina e pasurimit në Natanz filloi përpunimin e uraniumit në 164 centrifuga. Gholamreza Aghzadeh tha se deri marsin e ardhshëm do të operojnë tre mijë centrifuga. Në vitin 2003, Irani i mbylli centrifugat, ndërsa filloi negociata me Britaninë, Francën dhe Gjermaninë mbi fatin e programit të tij bërthamor. Teherani e filloi në fillim të vitit riaktivizimin e këtij programi. Shtëpia e Bardhë thotë se Irani po ecën në drejtimin e gabuar me veprimtarinë e tij bërthamore dhe një zëdhënës tha se adminsitrata e Presidentit Bush do ta diskutojë këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Presidenti Bush nuk u kushtoi shumë rëndësi njoftimeve të fundsit se Pentagoni po shqyrton mundësinë e goditjes ushtarake kundër objekteve bërthamore në Iran.

“Në Uashington parandalimi shpesh kuptohet si ndërhyrje. Por ai nuk nënkupton domosdoshmërisht përdorimin e forcës. Në këtë rast nënkupton diplomacinë. I lexova artikujt në gazeta për plane për ndërhyrje. Ato janë thjesht spekullime.” - tha Presidenti.

Një artikull i gazetarit Seymor Hersh vinte në dukje se adminsitrata po shqyrton mundësinë e goditjes bërthamore kundër objekteve Iraniane. Sekretari i Jashtëm britanik Xhek Stro tha se Irani është fajëtor për atë që ai e quajti “vite të tëra mashtrimesh”, por edhe ai e hodhi poshtë artikullin në fjalë.

“Ideja e një goditje bërthamore është marrëzi.” - tha ai.

Zyrtarët e administratës amerikane e pranojnë se Pentagoni po harton plane paraprake pëër programin bërthamor të Iranit, por zëdhënësi i Shtëpia e Bardhë tha se artikulli i zotit Hersh është i pabazë dhe nga burime të dobta.

“Artikulli në fjalë bazohet në shumë burime anonime nga adminsitrata të mëparshme dhe këshilltarë të jashtëm.” - tha ai.

Gazetari Hersh thotë se synimi i vërtetë i administratës është përmbysja e Presidentit të Iranit Mahmud Amideinejad.

“Njerëzit me të cilët fola, ish zyrtarë të lartë, thonë se problemi nuk pshtë pasurimi i uraniumit. Presidenti dhe nënpresidenti kërkojnë ndryshim regjimi në Iran.” - tha ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Hamid Reza Asefi tha se Shtetet e Bashksuara janë të nervozuara nga pamundësia për të ndaluar programin iranian të pasurimit të uraniumit, për të cilin Uashingtoni thotë se synon të përdoret për armë bërthamore.

“Ne i konsiderojmë planet ushtarake kundër Iranit si një luftë psikologjike që e ka burimin tek nervozizmzi dhe dështimi i Amerikës.” - tha ai.

Këshilli i Sigurimi i OKB-së i ka kërkuar Iranit të pezullojë progrmain e pasurimit të uraniumit dhe i ka dhënët Teheranit afat deri më 28 prill. Irani e ka kundërshtuar kërkesën, duke këmbëngulur se programi ka thjesht synime civile.//lk

XS
SM
MD
LG