Lidhje

SHBA: Mijëra pjesëmarrës në mitingje kërkojnë reformën e imigracionit


Këtu në Shtetet e Bashkuara, mbrojtësit e të drejtave të imigrantëve zhvilluan dje dhjetra mitingje në mbarë vendin. Njëri prej mitingjeve më masive u mbajt në Washington, ku dhjetra mijëra vetë kishin dalë nëpër rrugë për të demonstruar mbështetjen e tyre për çështjen legalizimit të imigrantëve, që kohët e fundit është bërë objekt diskutimi i ligjvënësve amerikanë...

“ We are all Americans”, Ne jemi të gjithë amerikanë!

Organizatorët e quajtën Dita Kombëtare e Veprimit për Drejtësinë ndaj Imigrantëve - por për shumë nga imigrantët që morën pjesë në manifestimin e djeshëm, ishte thjesht “La Marcha” - Marshim.

Në kushtet kur Kongresi Amerikan nuk ka gjetur një zgjidhje për çështjen e reformës së imigrantëve, dhjetra mijëra vetë marshuan në kryeqytetin e vendit, me kërkesën që imigrantëve t’u dëgjohet fjala.

Ndërsa protestuesit valëvisinin flamuj amerikanë me thirrjet “Yes, we can, - Po, ne kemi forca”, vëzhguesit thanë se energjia e protestave në mbarë vendin të kujton lëvizjen për të drejtat civile të viteve 1960.

Daniel Parra, Drejtor i Korporatës së Zhvillimit Ekonomik të Hispanikëve, një shoqatë që konsulton imigrantët që duan të kenë shëtpitë e tyre dhe të fillojnë biznese, thotë se debati lidhur me atë që duhet bërë me rreth 11 milionë imigrantë të paligjshëm e ka bashkuar komunitetin e hispanikëve, si asnjë tjetër.

"Ata nuk vijnë këtu për t’u ngrohur në diellin e Shteteve të Bashkuar, ata vijnë këtu ngaqë nuk i kanë mundësitë në vendet e tyre. Ne nuk duam të thyejmë ligjin, ne duam refomimin e tij, që ai të jetë në formën e duhur". - thotë ai.

Por Kongresi duket se është i ndarë lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje. Javën e kaluar, ligjvënësit amerikanë miratuan një ligj, sipas të cilit imigracioni i paligjshëm trajtohet si krim, por nuk arritën një kompromis për ligjërimin e punonjësve pa dokumente.

Në një intervistë që dha në programin televiziv “This Week” të rrjetit ABC, ligjvënësi Xhon Boehner ishte i të njëjtit mendim, se reforma e imigracionit është tepër e nevojshme, por shtoi se në plan të parë duhet të jetë zbatimi i ligjit.

"Është e rëndësishme që kufijtë të jenë të sigurtë, të zabatohet ligji dhe vetëm atëhere, të fillohet të flitet se si duhen trajtuar personat e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara"- tha ligjvënësi.

Shumica e imigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, janë hispanikë, që janë pakica më e madhe dhe që po rritet më me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara. Sipas Zyrës Cencus të Regjistrimit të Popullsisë, deri në vitin 2050 do të ketë mbi 100 milionë njerëz me origjinë hispanike, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, ose rreth një në katër amerikanë. Koordinatori i mitingut të djeshëm, Erik Gutirrez, thotë se politikanët nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur këtij komuniteti, që në fakt është në dëm të tyre.

"Kur ne të fillojmë të arsimohemi dhe kur të bëhemi votues të regjistruar, politikanëve do t’u nevojiten votat tona,"- thotë ai.

Mitingu i djeshëm në Washington ishte vetëm njëri prej dhjetra mitingjeve që u zhvilluan në mbarë vendin. Gutirrez thotë se janë në plan të zhvillohen edhe mitingje të tjera për të ushtruar trysni ndaj Senatit Amerikan, që të miratojë një program për dhënien e vizave të punës, dhe për t’u dhënë imigrantëve të paligjshëm një mundësi ligjore drejt qytetarisë amerikane.//lk

XS
SM
MD
LG