Lidhje

Reagime pas njoftimin të Iranit për pasurimin e suksesshëm të uraniumit


Presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinexhad thotë se Irani ka arritur të pasurojë me sukses uranium në gjendje të gaztë. Shtetet e Bashkuara e përcollën me shqetësim këtë njoftim, duke thënë se këto përpjekje e shtyjnë më tej Iranin në drejtimin e gabuar. Megjithatë, Uashingtoni vazhdon të këmbëngulë se nuk ka plane për goditje ushtarake ndaj objekteve bërthamore të Iranit:

Njoftimi i djeshëm i presidentit iranian Ahmadinexhad se vendi ka arritur me sukses të pasurojë uraniumin, përbën sfidë të drejtpërdrejtë ndaj kërkesës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndaluar këto veprimtari. "Në këtë moment historik, me bekimin e të Madhit Zot, dhe me përpjekjet e shkencëtarëve tanë, deklaroj se është përmbushur cikli i prodhimit të lëndës djegëse bërthamore në kushte laboratorike. Shkencëtarët prodhuan uranium të pasuruar që nevojitet për centralet bërthamore," njoftoi Presidenti i Iranit.

Shtëpia e Bardhë thotë se Irani po shkon në drejtim të gabuar dhe duhet të forcojë besimin me komunitetin ndërkombëtar në vend që të izolohet më tej. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Shon Mekormak tha se komuniteti ndërkombëtar shpresonte se Irani do të zgjidhte një rrugë tjetër. "Hapi që Irani njoftoi se ka marrë i jep më tepër arsye komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë masa të përbashkëta," tha zëdhënësi.

Pavarësisht nga njoftimet e fundit se Shtetet e Bashkuara kanë plane për sulme ushtarake kundër Iranit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld këmbënguli se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë të angazhuar për diplomacinë: "Shtetet e Bashkuara po ndjekin rrugën diplomatike. Këtë vendim ka marrë Presidenti. Këtij qëndrimi i përmbahen edhe aleatët tanë evropianë," tha Sekretari i Mbrojtjes.

Ai tha në një konferencë për shtyp se ekzistojnë shqetësime të mirëfillta lidhur me Iranin. "Ky vend mbështet terroristë. Ky vend ka treguar interesim për të zotëruar armë të shkatërrimit në masë. Këto ambicje janë bërë të ditura krejt hapur dhe Presidenti ka treguar shqetësim për këtë vend, pasi për askënd nuk është me interes të ushqejë iluzione."

Pasurimi i uraniumit në gjendje të gaztë është hapi i parë drejt prodhimit të karburantit dhe bombave bërthamore. Ekspertët thonë se Irani ende nuk është në gjendje të prodhojë ndonjërën prej tyre, por ka ndërmarrë hapa në këtë drejtim.

Irani përballet me kërkesën e Këshillit të Sigurimit për të ndaluar të gjithë veprimtarinë e tij për pasurimin e uraniumit deri më 28 prill. Zyrtarë të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike ndodhen në Teheran për bisedime lidhur me pezullimin e pasurimit. Irani i ka hedhur vazhdimisht poshtë kërkesat e Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se ka të drejtën të ketë një program bërthamor, të cilin thotë se e shfrytëzon thjesht për nevoja civile.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane duan që Kombet e Bashkuara të vendosin sanksione mbi Iranin nëse ky vend nuk respekton afatin e vendosur. Por anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina, deri tani e kanë kundërshtuar një masë të tillë. //ad//

XS
SM
MD
LG