Lidhje

Ahtisari shpreh këmbënguljen për të punuar për zgjidhjen e statusit të Kosovës brenda 2006-s


I dërguari i Kombeve të Bashkuara për të ndërmjetësuar bisedimet mbi statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari tha sot se megjithë mosmarrëveshjet e thella ndërmjet zyrtarëve shqiptarë dhe atyre serbë, bisedimet po shënojnë përparim. Zoti Ahtisaari foli sot në Bruksel, pas takimeve me Presidentin e Komisionit Evropian Zhoze Manuel Barrozo dhe Komisionerin për Zgjerimin e Bashkimit Oli Rehn:

"Nuk i pranoj komentet se nuk është shënuar përparim në këto bisedime,” tha ish-presidenti finlandez Marti Ahtisaari, duke iu përgjigjur siç duket zërave të kohëve të fundit se në tre raundet e bisedimeve Prishtinë-Beograd nuk është shënuar asnjë përparim.

Megjithatë pas takimit të sotëm në Bruksel me zyrtarët e lartë evropianë, zoti Ahtisaari e pranoi se bisedimet e 3 muajve të fundit mbi decentralizimin nuk kanë arritur t’i sjellin palët negociuese më pranë një qëndrimi të përbashkët. Bisedimet teknike, tha ai, si të mëparshmet ashtu edhe ato mbi mbrojtjen e objekteve historike dhe kulturore, janë të nevojshme të zhvillohen para diskutimit të statusit përfundimtar politik të Kosovës.

Ndërmjetësuesi i OKB-së në bisedimet për status tha se do t’u përmbahet kërkesave ndërkombëtare dhe atyre të OKB-së për të arritur një zgjidhje për statusin brenda këtij viti. "Kemi një plan dhe po punojmë në përputhje me të," tha zoti Ahtisaari, i cili shtoi se në javët e ardhshme do të shkojë në Moskë, Pekin dhe New York për t’u siguruar se bisedimet mbi status do të vazhdojnë të kenë mbështetjen ndërkombëtare.

Në komentet e tij për shtypin, Presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Barrozo u bëri thirrje shqiptarëve dhe serbëve në këto bisedime të tregohen më elastikë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje: "Mendojmë se ka ardhur koha që të gjitha palët të tregohen të gatshme për të bërë kompromise serioze, të përgatiten për t’u përballur me realitetin dhe të punojnë që të arrihet përparim."

Zoti Ahtisaari theksoi rëndësinë që ka Bashkimi Evropian për Kosovën dhe për proceset demokratike atje: "Bashkimi Evropian luan një rol tepër të rëndësishëm aktualisht në Kosovë dhe do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetje të bisedimeve. Ne parashikojmë se Bashkimi do të ketë një rol të rëndësishëm edhe në zhvillimet pas zgjidhjes së statusit." Zoti Ahtisaari i bëri thirrje Bashkimit të përmbushë zotimin e tij se blloku evropian i ka dyert e hapura për vendet ballkanike.

Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, tha se do të punojë që qeveritë evropiane të përmbushin zotimet e tyre ndaj Ballkanit, ndërkohë që disa prej qeverive evropiane kanë bërë thirrje për ngrirjen e procesit të zgjerimit: "Ne mendojmë se e ardhmja e Kosovës, ashtu si e gjitha vendeve të Ballkanit, është në Evropë. Vendet ballkanike kanë përpara perspektivën evropiane nëse përmbushin kushtet për t’u bërë vende anëtare të organizatës," tha Presidenti i Komisionit Evropian, Barrozo.

Pas bisedimeve në Bruksel, zoti Ahtisaari tha se do të shkojë në disa kryeqytete të Evropës Lindore për të njohur zyrtarët atje me përparimin e bisedimeve. Më 4 maj do të ketë një raund të ri bisedimesh dhe në qershor, kryenegociatori Ahtisaari do të raportojë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi përparimin e arritur deri tani.

Ndërkohë në Moskë, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, bëri thirrje që çështjes së Kosovës t’i jepet një zgjidhje deri në fund të vitit dhe shprehu shpresë se rezultati do të jetë pavarësia. Por homologu i tij rus, Sergei Lavrov tha se do të ishte “parealizueshme dhe joproduktiv caktimi artificialisht i afateve” për statusin e Kosovës. //ad//

XS
SM
MD
LG