Lidhje

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Evroazinë jep garanci mbi angazhimin e Amerikës në Ballkan


Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Evroazinë, Daniel Friid, tha se Amerika nuk do të lejojë që investimi i bërë deri tani në Ballkan për paqe e siguri të shkojë kot. I pyetur gjatë një emisioni të Zërit të Amerikës nëse Amerika do të vazhdojë të jetë e angazhuar në Ballkan, ai u përgjigj se Uashingtoni është i vendosur për vendosjen e paqes dhe qendrueshmërisë në Ballkan. “Është përgjigje e thjeshtë. Do të mbetemi të angazhuar ushtarakisht, politikisht dhe ekonomikisht. Nuk i kaluam kot 10 vjetët e fundit, duke kontribuar me gjak dhe dollarë, për qendrueshmërinë dhe demokracinë në Ballkan, që t’i çojmë dëm. Aktualisht po mbështesim përpjekjet e ish-presidentit finlandez Marti Ahtisari për të negociuar statusin e Kosovës. Unë nuk e di se cili mund të jetë statusi përfundimtar, por di atë që nuk do të jetë. Statusi nuk do të jetë kthim tek gjendja para 1999-s. Nuk do të jetë një Kosovë mono-etnike, ku serbët të mos kenë asnjë të drejtë. Nuk do të ketë ndarje. Nuk do të ketë bashkim me vende të tjera. Presidenti Ahtisari po negocion për një marrëveshje për t’u dhënë serbëve në Kosovë më shumë të drejta që do të garantohen nga zgjidhja përfundimtare”.

Zyrtari i lartë i departamentit të shtetit po ashtu i bëri thirrje Serbisë të shkëputet nga e kaluara dhe të kontribuojë për gjetjen e një zgjidhje për Kosovën. “Kjo është e dhimbshme për Serbinë. Megjithatë fakti është se fajtorë për gjendjen nuk janë udhëheqësit e tanishëm të Serbisë, por Millosheviçi, i cili filloi luftë pas lufte në Ballkan. Të gjitha luftrat kishin në bazë një nacionalizëm agresiv dhe të gjitha kishin pasoja shkatërrimtare për Serbinë. Tani Serbia meriton shansin për t’u bashkuar me Evropën. Por ajo nuk mund të bashkohet me Evropën nëse nuk shkëputet nga e kaluara. Serbia duhet të ndihmojë për të gjetur një zgjidhje që do të përmbushte interesat e saj legjitime për serbët në Kosovë dhe t’i lejojë banorët e Kosovës të jetojnë në paqe dhe siguri. Ne jemi të vendosur që një gjë e tillë të realizohet”.

Duke folur për referendumin e ardhshëm në Mal të Zi, zoti Friid tha se ajo i takon popullit malazes të vendosë nëse do të shkojë për pavarësinë apo do të mbesë pjesë e bashkimit me Serbinë. //az//

XS
SM
MD
LG