Lidhje

Procesi i reformës elektorale në Shqipëri, një maratonë e pafund


Pasi është kapërcyer kriza e gjatë disa javore parlamentare dhe një ditë pas thirrjes që ambasadori i pranisë së OSBE-së në Tiranë, Pavel Vacek, bëri për nisjen e punës së komisionit për reformën zgjedhore, kryeministri Sali Berisha kërkoi sot ndryshimin e formulës së përbërjes së këtij komisioni.

Sipas vendimit të marrë në janar, pas një marrëveshje të arritur mes demokratëve dhe socialistëve, dy partitë kryesore kanë shumicën e komisionit dhe vendimet e tij nuk mund të merren nëse njëra prej këtyre partive vendos veton. Kjo formulë, në të vërtetë shkaktoi një reagim të ashpër të të gjitha partive të vogla të cilat u ndjenë të përjashtuara nga procesi i reformës elektorale. Por ndërsa forcat e spektrit të majtë duket se u tërhoqën më pas, të djathtët ushtruan trysni dhe kërcënuar Partinë Demokratike me mosdhënien e mbështetjes në parlament ndaj saj.

Duket se tashmë kur koha po kalon me shpejtësi dhe procesi i reformës është kthyer në një çështje gati urgjente, është pikërisht kjo trysni që shtyu sot kryeministrin Sali Berisha të propozojë që dy partitë kryesore të mos kenë shumicën:

" Të dy partitë e mëdha duhet të përgjysmojnë praninë e tyre në Komision e të hapin hapësirë më të madhe për aprtitë e vogla. Ne jemi të gatshëm të votojmë për veton e tyre.Unë i siguroj dhe socialistët, shpresoj që socialistët ta pranojnë një gjë të tillë pasi absolutisht nuk vjen asnjë lloj nëqoftëse kemi inteznione ti zbatojmë pa veto rekomandimet e OSBE ODIHR-it vetoja bëhet thjesht simbolike, sepse nuk do ushtrohet, të paktën nga ne". - tha ai.

Por vështirësia qëndron në faktin që demokratët dhe socialistët e kanë arritur tashmë një marrëveshje e cila ka marrë dhe votat e parlamentit. Propozimi i kryeministrit Berisha çon në prishjen e këtij vendimi. Socialistët duket se nuk kanë ndërmend t’i rikthehen edhe një herë formulës së komisionit. Këtë e bëri të qartë kryetari i grupit parlamentar Pandeli Majko sot në parlament:

"Kemi filluar punën e përbashkët me qëllim daljen me një qëndrim si parti opozitare lidhur me reformën zgjedhore. Shpresoj që e njëjta gjë do të ndodhë dhe me partitë e koalicionit qeveritar". - tha zoti Majko.

Socialistëve, të cilët duket se i kanë zgjidhur problemet me aleatët e majtë, u intereson të mos lëshojnë pe, për të mbajtur kështu gjallë konfliktet brenda koalicionit qeverisës.

Procesi i reformës elektorala po i ngjan një maratone pa fund. Partitë parlamentare u zotuan fundvitin e shkuar që të nisnin punën brenda dhjetorit. Por marrëveshja mes dy partive të mëdha u arrit në janar. Që pas atij momenti, nuk ka patur asnjë hap më tej.

Zgjedhjet e ardhshme vendore të parashikuara për vjeshtën e këtij viti është e qartë tashmë se do të shtyhen, pasi nuk ka asnjë mundësi reale që ato të zhvillohen pas gjashtë e apo shtatë muajsh.//lk

XS
SM
MD
LG