Lidhje

Irani hedh poshtë thirrjen e ElBaradeit për ndalimin e veprimtarisë për pasurimin e uraniumit


Irani hodhi poshtë një thirrje të kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që Teherani të ndalë veprimtaritë për pasurimin e uraniumit.

Kryenegociatori i Iranit për çështjet bërthamore, u takua dje në Teheran me shefin e Agjencisë Bërthamore, Mohamed El-Baradei. El-Baradei tha se Irani përsëriti premtimin për të sqaruar çështjet e pazgjidhura lidhur me programin e tij bërthamor. Ai tha se nuk e ka konfirmuar pretendimin e Iranit se po pasuron uranium të shkallës për t’u përdorur në uzinat bërthmore, lajm të cilin Teherani e bëri të njohur të martën.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore, ElBaradei vizitoi Teheranin, dy ditë pasi presidenti iranian njoftoi se vendi i tij kishte prodhuar uranium të nivelit që përdoret në centrale bërthamore. Zoti ElBaradei tha se ai nuk mund të konfirmonte njoftimin e presidentit dhe hodhi poshtë mundësinë e një krize bërthamore.

“Nuk mendoj se çështja e pasurimit, është më urgjentja për momentin. Kemi mjaft kohë për të gjetur një zgjidhje që do të plotësonte si nevojat e Iranit për energji bërthamore, po ashtu të qetësonte edhe shqetësimin e komuntetit ndërkombëtar",- tha ai.

Në një takim me Ministrin e Jashtëm kanadez, Peter Mekei, në Uashington, Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice, tha se Washingtoni do të studiojë të gjitha alternativat që ka Këshilli i Sigurimit për kundërshtimin që po i bën Irani rezolutës së OKB-së.

Në të njëjtën kohë, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Nënsekretari i Shtetit, Nikolas Burns paralajmëroi Teheranin se egziston një koalicion i gjerë ndërkombëtar përfshi Rusinë, Kinën dhe Evropën...që nuk dëshirojnë që Irani të ketë armë bërthamore.

“Të gjithë ne besojmë se qeveria iraniane nuk ka treguar të vërtetën rreth programit të fshehtë të armëve bërthamore. Të gjithë ne besojmë se vendimi i Këshillit të Sigurimit për t’i tërhequr vërejtjen Iranit ka qënë i drejtë dhe kështu do të vazhdohet. Mendoj se pozicioni strategjik i Iranit është më i izoluar sot sesa ishte një vit më parë. Kështu që nëse ka ndonjë zyrtar të qeverisë së Teheranit që beson se një deklaratë e shkurtër nga presidenti i tyre përbën fjalën e fundit, është mirë që ata të mësojnë edhe një herë rregullat e lojës." tha zoti Burns //lk

XS
SM
MD
LG