Lidhje

Berluskoni propozon krijimin e një koalicioni të përbashkët të të dy grupimeve


Kryeministri italian, Silvio Berlusconi, nuk është ende i përgatitur të pranojë humbjen në zgjedhjet parlamentare të vendit. Rezultatet zyrtare nuk kanë dalë ende. Ndërkohë vazhdon numërimi i votave të diskutueshme, por ato nuk pritet të ndikojnë në fitoren e koalicionit të qendrës së majtë të Romano Prodit.

Kryeministri Silvio Berluskoni i bëri një thirrje tjetër koalicionit të qendrës së majtë për gjetjen e një marrëveshjeje dhe krijimin e një qeverie koalicioni, sepse vendi është i përçarë.

Rezultatet zyrtare nuk kanë dalë ende pas pretendimit të zotit Berlusconi për parregullsi. Votat e diskutueshme po numërohen, por ministria e brendshme e uli ndjeshëm numrin, duke bërë kështu të qartë se fitorja e koalicionit të qendrës së majtë të Romano Prodit është e sigurtë.

Megjithatë, zoti Berlusconi nuk duket se është gati ta pranojë humbjen. Në një letër të botuar sot në të përditshmen “Corriere della Sera” ai thotë se, bazuar në votën popullore, nuk ka asnjë fitues apo humbës. Ai kërkoi një marrëveshje të pjesshme, për një afat të caktuar, për t’u dhënë përgjigje angazhimeve institucionale, ekonomike dhe ndërkombëtare më urgjente të Italisë.

Por, zoti Prodi nga ana e tij tha se ndjeshja ka përfunduar. “Ka ardhur koha të njihet fitorja jonë, tha udhëheqësi i koalicionit të qendrës së majtë. Ka ardhur koha që kjo komedi e çuditshme të marrë fund”. Zoti Prodi kërkon gjithashtu që kundërshtari i tij të kërkojë falje për pretendimin se ka patur manipulime votash. Por ai tha se blloku i tij është i përgatitur të flasë me qendrën e djathtë, pasi zoti Berlusconi të pranojë humbjen.

Megjithatë zoti Berlusconi nuk duket se do ta bëjë këtë, derisa shifra përfundimtare e numërimit të publikohet zyrtarisht. “Po pres me frymën pezull si gjysma e Italisë, ashtu si edhe gjysma tjetër, që të dalin rezultatet. Për momentin nuk ka ende një rezultat përfundimtar, pasi shifrat e ministrisë së brendshme janë të përkohshme”.

Shumica e partive aleate me zotin Berlusconi janë distancuar nga akuzat për manipulime masive dhe nuk kanë kërkuar numërim votash. Disa prej tyre madje janë shprehur se janë kundër idesë së një koalicioni të përbashkët të dy grupimeve. //ad//

XS
SM
MD
LG