Lidhje

SHBA: ushtarakë të lartë këmbëngulin në thirrjet për dorëheqjen e z.Ramsfeld


Presidenti Bush ka hedhur poshtë thirrjet nga një grup gjeneralësh në pension për dorëheqjen e Sekretarit të Mbrojtjes Donald Rumsfeld, të cilin ata e akuzojnë se nuk ka drejtuar si duhet luftën në Irak. Këtë apel të pazakontë e bënë drejtues ushtarakë që më parë kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejtë në ndërhyrjen ushtarake në Irak:

Gjeneral-Majori John Batiste ka drejtuar Divizionin e Parë të Këmbësorisë të ushtrisë amerikane në Irak. Ai është një ndër gjashtë gjeneralët në pension, të cilët kanë shprehur publikisht pakënaqësi me udhëheqjen e Sekretarit Rumsfeld. Gjenerali Batiste thotë se Shefi i Pentagonit duhet të mbahet përgjegjës: "Me këtë nënkuptoj se e tepruam pasi u bazuam në një plan të gabuar lufte. Nuk diskutohet që kishim kontigjente të mjaftueshme për të fituar betejën për rrëzimin e Sadam Huseinit, por ne nuk e morëm aspak parasysh punën e madhe që kërkohet për të fituar paqen. Afro 10 vjet punë për planifikim dhe shqyrtim nga Komanda Qendrore Amerikane me pak fjalë nuk u mor parasysh."

Gjenerali i Korpusit të Marinës Anthony Zini kryesonte Komandën Qendrore në fund të viteve ’90. Që nga viti 2004, Gjenerali Zini është shprehur se drejtuesit civilë të Pentagonit kanë zhgënjyer ata djem dhe vajza që shërbejnë në radhët e ushtrisë amerikane. "Unë do t’ua hidhja atyre përgjegjësinë. Megjithatë, ky vendim i takon Presidentit. Historia do t’i ngarkojë me përgjegjësi. Por mendoj se udhëheqja civile e Pentagonit duhet t’i kishte shërbyer më mirë Presidentit."

Gjeneral-Lejtnanti Greg Newbold, ish-drejtor i operacioneve në Shtabin e Shtatmadhërisë, botoi kohët e fundit një shkrim në Revistën Time, në të cilin theksonte se çmimi i udhëheqjes së gabuar vazhdon të paguhet me gjak. Ai thotë se shumë ushtarakë të lartë në ushtrinë amerikane ndjeheshin të kërcënuar dhe nuk ngritën zërin kundër një plani krejtësisht të gabuar për një luftë të shpikur, e cila bëri që armiku i vërtetë, al-Kaida, të bëhej një objekt i dorës së dytë.

Presidenti Bush nxori të premten një deklaratë në mbështetje të Sekretarit Rumsfeld, në të cilën e cilësonte atë si një udhëheqës energjik dhe të qëndrueshëm, të nevojshëm në këtë periudhë kritike. Ndërkaq, Sekretari Rumsfeld i tha televizionit Al Arabija se nuk do të japë dorëheqjen.

Më parë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan aludoi se kritikat ndaj zotit Rumsfeld mund të kenë lidhje me kundërshtimin e punonjësve të Pentagonit ndaj përpjekjeve të Sekretarit për të krijuar një ushtri më elastike dhe efektive: "Sekretari ka mbikqyrur transformimin e ushtrisë, i cili synon të na përgatisë më mirë për kërcënimet e shekullit të 21-të. Vendi ynë është në luftë dhe në këtë periudhë ne po transformojmë edhe ushtrinë. Këto çështje zakonisht nxisin debate dhe mosmarrëveshje. Ne e kemi të qartë këtë fakt," tha zëdhësi.

Në përgjigje të komenteve se kritikat ndaj Sekretarit të Mbrojtjes janë në favor të armikut, Gjeneral Majori John Batiste u kundërpërgjigj se “ushtria amerikane është shumë e fortë.”

Siç theksohet në Kushtetutën amerikane, ushtria duhet të jetë nën kontroll civil, dhe ushtarakët rallë herë kanë ngritur kritika publike ndaj drejtuesve të tyre. Ushtria gjithashtu betohet të mbrojë Kushtetutën, dhe jo ndonjë administratë të caktuar. //ad//

XS
SM
MD
LG