Lidhje

Kërcënimi i ekstemizmit islamik evropian ndaj Shteteve te Bashkuara


Në Evropë jetojnë mbi 120 milionë myslimanë, prej të cilëve 15-20 milionë jetojnë në Evropën Perëndimore. Megjithëse ekstremistët e dhunshëm islamikë përbëjnë vetëm një pakicë, ekspertët theksojnë se një pjesë e mirë e planeve për sulmet terroriste të 11 shtatorit u bënë në Evropë. Tre diplomatë amerikanë dëshmuan kohët e fundit në Senatin amerikan lidhur me kërcënimin që paraqet për Shtetet e Bashkuara radikalizmi islamik evropian. Por në vend të masave të sigurisë, ata sugjerojnë nevojën për nisma pozitive që i shërbejnë ndërtimit të besimit për pakicat islamike të Evropës.

Daniel Fried, Ndihmëssekretar amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, thotë se një numër i madh myslimanësh evropianë e ndjejnë veten të izoluar në vendet e tyre. Në të njëjtën kohë, ndjehen të shkëputur nga kultura e tyre, apo nga origjina e prindërve të tyre.

Kjo ndjenjë e dyfishtë e të ndjerit të huaj, së bashku me përballjen e tyre me fenomene si papunësia dhe diskriminimi, bën që të ngrihen dyshime për ndjenja të ekstremizmit tek ta. "Shumë myslimanë të brezit të dytë, apo të tretë në Evropë, duket se duan t’u plotësohen nevojat shpirtërore. Ata shohin se komunitetet e tyre lokale, apo institucionet e këtyre vendeve nuk i plotësojnë këto nevoja. Prandaj, janë pikërisht financuesit e huaj dhe aktivistët fetarë nga jashtë ata që e mbushin këtë boshllëk shpirtëror, duke ndërtuar xhami, të cilat i pajisin me imamë ekstremistë," thotë z. Fried.

Mundja e ekstremizmit dhe e perceptimeve negative të krijuara për Amerikën, thotë zoti Fried, kërkon të komunikosh me këta të rinj dhe t’i ndihmosh ata që të forcojnë si lidhjet me mjedisin e tyre evropian, ashtu sikurse edhe me traditat e tyre të vërteta fetare dhe kulturore.

Në dëshminë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit Daniel Fried theksoi se qeveritë evropiane mund të mësojnë nga eksperienca e Amerikës, shpeshherë e shoqëruar edhe me probleme, në çështjen e diversitetit kulturor dhe asimilimit, veçanërisht nga ajo e lëvizjes së të drejtave civile. "Duhen patur parasysh mësimet nga eksperienca e luftës për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, që vazhdon të jetë një çështje e aktuale. Europa ka shansin të shkrijë aspektet pozitive të disa zakoneve në një të vetëm, që mund të quhet “intregimi tolerant”. Në këtë mënyrë, myslimanët evropianë mund të shihen si plotësisht evropianë, edhe në rastin kur ruajnë disa nga vlerat e kulturës së tyre të trashëguar."

Amerika mund të japë kontributin e saj në këtë proces, tha zoti Daniel Fried, duke hapur kanalet e komunikimit dhe duke i ndihmuar myslimanët evropianë të mësojnë nga eksperienca shumëkulturore e Amerikës.

Përveç shkëmbimeve kulturore dhe programeve që e ndihmojnë këtë, ligjëratave dhe formave të tjera të diplomacisë publike, administrata ka në plan një sërë takimesh mes udhëheqësve dhe intelektualëve myslimanë të Amerikës dhe Evropës. Takimi i parë i kësaj natyre u organizua vjeshtën e kaluar në Bruksel nga ambasadori amerikan në Belgjikë, Tom Korologos. "Ky ishte shkëmbimi i parë mes myslimanëve evropianë dhe atyre amerikanë, që u përqëndrua tek identiteti, tek veprimtaria civile, mundësitë ekonomike dhe çështje të grave. Ky nuk ishte një nga ato aktivitete tipike akademike të instituteve me ekspertë që japin leksione për myslimanët nga podiumet. Këtë herë myslimanënt u flisnin myslimanëve, pra kishim të bënim me një dialog dhe jo me një monolog," thotë diplomati amerikan.

Një tjetër zyrtar që dëshmoi në Komisionin e Marrëdhëneive me Jashtë të Senatit, Amasadori Henry Krumpton, koordinator i Deparatmentit të Shtetit për Luftën kundër Terrorizmit, tha se në afat të shkurtër, Amerika duhet të neutralizojë kërcënimet direkte dhe të menjëhershme që paraqesin disa organizata islamike në Evropë.

Por në afat të gjatë, rrjetet terroriste duhet të kundërshtohen, duke ndërtuar alternativa për mundësi dhe mirëkuptim. "Lufta kundër ekstremizmit në Evropë nuk ka objektiv vetëm shkatërrimin dhe çrrënjosjen e rrjeteve armike, në të njëjtën kohë, ajo ka karakter konstruktiv; ajo është një përpjekje për ndërtimin e besimit në qeveri dhe synon të nxisë përkushtimin tonë për krijimin e drejtësisë dhe mundësive njëlloj, për të gjithë qytetarët evropianë. Kjo krijon sisteme të ndërlidhura me njëri tjetrit, që mund t’u ofrojnë komuniteteve alternativa të ligjshme përballë perspektivave të shytrembëra dhe zgjidhjeve mashtruese të përqafuara nga ekstremistët."

Zyrtarët që dëshmuan në Senat ishin të të njëjtit mendim se lufta kundër ekstremizmit islamik është një çështje idesh dhe informacioni, si në funksionimin e sistemit gjyqësor ashtu edhe në fushën e zbatimit të ligjit. Në mënyrë që të arrihet sukses, thanë zyrtarët amerikanë në seancën e dëshmive në Senat, qeveritë e vendeve evropiane dhe qeveria amerikane, duhet të bashkëpunojnë dhe të shkëmbejnë përvojën e tyre sociale dhe politike. //ad//

XS
SM
MD
LG