Lidhje

Shqipëri: Rindizen debatet mbi Prokurorin e Përgjithshëm


Qarqet politike ne Tiranë kanë humbur qetësinë këtë fundjavë, ndërsa zbrazën një seri deklaratash ultimative në lidhje me zgjedhjet vendore dhe presidentin e ri të vendit, ndërkohë që u rindezën edhe polemikat mbi punën e prokurorisë dhe sulmet e maxhorancës ndaj Prokurorit të Përgjithshëm.

Parlamenti rifillon të hënën diskutimet për funksionimin e komisionit për reformën zgjedhore. Deklaratat e PD-së maxhorancës se nuk do ta përdorte veton ne këtë komision dhe se ishte e gatshme të pranonte sa më shumë përfaqësues të partive të tjera nuk e qetësuan situatën. Partitë e vogla e kanë kthyer vështrimin nga PS e opozitës, duke kërkuar mirëkuptimin e saj për një ndikim më të madh të tyre në këtë proces. Dy partitë kryesore kanë bërë një marrëveshje për të ruajtur të drejtën e vetos në komisionin e reformës zgjedhore, duke ngjallur kundërshtimin dhe nervozizmin e partive të vogla, që ndjehen të shpërfillura.

LSI ka deklaruar se raportet e përfaqësimit në komision për zgjedhjet e ardhshme nuk duhet të jenë sipas votave që janë marrë nga skema manipulative e mbiquajtur "Dushku". LSI ka hedhur gjithashtu idenë se zgjedhjet e ardhshme duhen bazuar mbi një formulë proporcionale.

Partitë politike janë përfshirë në të njëjtën kohë edhe në diskutime për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri, ndonëse kjo është një cështje që i takon vitit të ardhshëm, në debatet e politikës së Tiranës duket sikur kjo është temë e ditës. PR është shprehur që në rast se parlamenti nuk mundet ta zgjedhë me konsensus presidentin e ri, atëherë kreu i shtetit do duhet zgjedhur me votim popullor. Ndërsa LSI ka thënë se presidenti duhet zgjedhur patjetër nga parlamenti, duke shprehur dyshimet për votimin popullor, si një manovër për të rikthyer në jetën politike ndonjë politikan të njohur, tashmë të tërhequr. Në të gjitha këto diskutime janë përmendur edhe një seri propozimesh për të ndryshuar nene përkatëse të kushtetutës.

Analistët e politikës kanë vërejtur se debatet e njëkohshme për zgjedhjet e afërta vendore dhe për zgjedhjen e largët të presidentit të ri, tregojnë për një lidhje të fortë që partitë politike po vendosin midis këtyre dy cështjeve, si përcaktuese për fatin e maxhorancës aktuale në parlament.

Institucioni ligjvënës pritet të trazohet jo pak edhe nga debatet mbi prokurorin e përgjithshëm, ndërkohë që PD po i ngre gjithnjë e më shumë tonet e akuzave ndaj kryetarit të organit të akuzës, jo vetëm për paaftësi e mosveprim, por edhe me deklarata plot dyshime për lidhje të tij me njerëz të botës së krimit.

Megjithë sigurinë e deklaratave të udhëheqësve të maxhorancës për vota të mjaftueshme, edhe për shkak të problemeve të brendshme, koalicioni qeveritar pritet që nuk do ta ketë më të lehtë votimin e ligjeve të rëndësishme në parlament, apo shkarkimin e mundshëm të zyrtarëve të lartë, si Prokurori i Përgjithshëm.//lk

XS
SM
MD
LG