Lidhje

Policia shqiptare vret një kriminel të kërkuar

  • Pëllumb Sulo
  • Shkodër

Ngjarja ka ndodhur në një nga zonat më të thella malore të Shqipërisë, në fshatin Curraj e Epërme, të komunës Lekbibajt, në rrethin e Tropojës, zonë kjo ku vitet e fundit janë regjistruar shumë ngjarje të rënda kriminale.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, forcat speciale policore të “RENEAS” kryen një operacon për kapjen e Pëllumb Ndrevatajt, i cili kërkohej prej të paktën pesë vitesh nga drejtësia shqiptare. Të mbështetura edhe nga dy helikopterë, forcat speciale të policisë rrethuan banesën ku ndodhej i shumëkërkuari, duke i bërë thirrje që të dorëzohej. Por, sipas njoftimit zyrtar të policisë, ai është kundërpërgjigjur duke hapur zjarr, me një mitroloz të lehtë.

Për rreth dy ore ka vazhduar shkëmbimi i zjarrit të armëve mes tij dhe forcave të “RENEAS” ku, si përfundim ka mbetur i vrarë. personi i shumëkërkuar. Mbas kësaj, forcat e policisë kanë hyrë në banesë, ku kanë gjetur edhe një femër. Ekpertët po hetojnë rrethanat e ndodhjes së saj në te njëjten banesë me të kërkuarin.

Pëllumb Ndrevataj, 30 vjec, akuzohet nga policia shqiptare për kryerjen e 4 vrasjeve. Por, sipas policisë shqiptare, ai është i dyshuar edhe për disa vrasje të tjera. Ndrevataj ka qenë i shpallur në kërkim që më 28 nëntor të vitit 2000 për veprat penale të vrasjes me paramendim si dhe për armëmbajtje pa leje. Por, po në këtë datë, ai është larguar nga dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Tropojës.

30 vjeçari Ndrevataj, për një kohë të gjatë kishte mundur t’i shpëtonte ndjekjeve të policisë, megjithse ishte dënuar tre herë nga gjykatat shqiptare. Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar në mungese Pëllumb Ndrevatajn me 17 vjet heqje të lirisë, për një vrasje të kryer në qytetin e Bajram Currit. Gjithashtu, gjykata e rrethit të Tiranës, i kishte dhënë dënimin me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasje me paramendim për hakmarrje dhe gjakmarrje”, pas vrasjes së dy përsonave, atë e birë, në Babrru të Tiranës.

Një dënim i tretë ishte dhënë ndaj tij edhe nga gjykata e Tropojës, e cila, për një tjetër vrasje, e kishte dënuar në mungesë me 23 vjet burg. Këto dënime, e kishin bërë 30 vjeçarin Ndrevataj një person, të cilësuar nga policia shqiptare, me rrezikshmëri shumë të lartë.

Prej të paktën tre vitesh, në Shqipëri nuk ishte regjistruar ndonjë vrasje gjatë operacioneve policore për kapjen e përsonave të shpallur në kërkim. Ndaj, ngjarja e sotme, në Curraj të Epërme të Tropojës, shikohet si ashpërsim i qëndrimit të forcave të policisë në luftën kundër krimit.

XS
SM
MD
LG