Lidhje

Shqipëri: Shoqata e prokurorëve shpreh shqetësimin për sulmet ndaj organit të akuzës


Në Shqipëri shoqata e prokurorëve u shpreh sot e shqetësuar për sulmet e ndërmarra ndaj drejtuesve të organit të akuzës. Reagimi i tyre vjen pas akuzave të drejtpërdrejta që kryeministri Sali Berisha ka bërë për lidhjet sipas tij të Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku me krimin e organizuar.

Demokratët kanë paralajmëruar ngritjen e një komisioni hetimor ndaj kryeprorkurorit. Shoqata e prokurorëve tha sot se sulmet janë të padrejta dhe se ato krijojnë një krizë besimi e cila nuk i shërben luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Marëdhëniet mes qeverisë e partisë demokratike nga njëra anë dhe Prokurorit të Përgjithshëm kanë hyrë në një rrugë pa kthim. Nëse deri javën e shkuar ato ishin në nivelin e një lufte nervash, tashmë janë kthyer në një konflikt të hapur. Situata pësoi një kreshendo të shpejtë e të papritur që pas deklarimeve të enjten në mbrëmje të kryeministrit i cili hodhi hije të rënda dyshimi mbi Prokurorin e Përgjithshëm dhe lidhjet e tij të mundshme me krimin.

Dy ditë më pas u kalua në akuza direkte ndaj tij, nëpërmjet zëdhënësit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Ndërsa dje ishte kryeministri Berisha që i vuri kapak situatës kur tha se do i faktonte shqiptarëve lidhjet fatale të prokurorit të Përgjithshëm Sollaku me krimin e organizuar.

Prokurori i Përgjithshëm tha se kryeministri ka shkelur shumë rëndë ligjet e shtetit dhe për këtë do të jetë përgjegjës. Deri tani nga partia demokratike është folur për lidhje të kryeprokurorit me bandën e Aldo Bares si edhe me organizatën Hakmarrje për Drejtësi. Por ende qeveria nuk ka paraqitur fakte. Kryeministri ka premtuar se do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore për t’i paraqitur ato.

Vetë kryeprokurori ka patur vetëm një reagim të shkurtër duke i kërkuar kryeministrit që të ruajë qetësinë pasi shumë shpejt do të ballafaqihet me të për akuzat.

Sot në mbrojtje të tij doli shoqata kombëtare e prokurorëve. Nëpërmjet një deklarata publike kjo shoqatë u shpreh e shqetëuar për sulmet ndaj prokurorëve dhe instiotucionit të prokurorisë duke I konsideruar ato të padrejta. Sipas shoqatës sulmet krijojnë një krizë besimi dhe nuk i shërbejnë motivimit në lkuftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Ata e konsiderojnë jo logjike parcelizimin e sukseseve apo dështimeve te individë apo grupe të veçanta, duke iu referuar kështu qëndrimit të kryeministrit i cili së fundi ka vlerësuar rolin e prokurorëve dhe vecanërisht të prokurorisë së Krimeve të Rënda ndërsa ka sulmuar ashpër kreun e këtij institucioni.

Qeveria duhet të provojë akuzat dhe presidenti i Republikës duhet të pozicionohet qartazi u shprehën sot socialistët, ndërsa Lëvizja socialiste për integrim ka deklaruar se agresioni verbal i kryeministrit është jo vetëm një sjellje e padenjë por dhe një mënyrë e rrezikshme e komunikimit politik. Kundër luftës së hapur nga kryministrit kanë dalë sot edhe përfaqësues të Lëvizjes Mjaft apo analistë të shtypit sipas të cilëve po mbahet në këmbë një kulturë e vjetër antikushtetutese.

Tashmë është e qartë se kryeministri ka hapur një front lufte i cili nuk mund të mbyllet lehtë. Demokratët sic e ka paralajmëruar dhe kreu i qeverisë do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor. Akuzat e rënda të kryeministrit nuk lënë shteg për shumë zgjidhje. Nëse ato nuk do të vërtetoheshin atëherë kjo do të krijonte një precedent shumë të rrezikshëm për të ardhmen e marrëdhënieve respektimit të ndarjes së pushteteve në vend.

XS
SM
MD
LG