Lidhje

I dërguari amerikan Wisner i bën thirrje Beogradit për rol konstruktiv në bisedimet me Prishtinën


I dërguari i posaçëm amerikan për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Wisner u ka bërë thirrje sot udhëheqësve më të lartë të Serbisë që të “luajnë një rol konstruktiv në bisedimet me Prishtinën në mënyrë që zgjidhja të jetë një Kosovë demokratike që do të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj”.

Ambasadori Wisner u takua sot me zyrtarët më të lartë të Serbisë në kuadër të një vizite që po u bën vendeve të rajonit në përpjekje për nxitur çuarjen përpara të procesi të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Ai theksoi në takimet me zyrtarët serbë se do të ishte me rëndësi të madhe që serbët të marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Kryeministri i Serbisë Vojislav Koshtunica paralajmëroi sot se Beogradi së shpejti do të dalë me një siç thuhet, “propozim konkret për autonominë e Kosovës sipas standardeve evropiane”.

Ai përsëriti qëndrimin e tij se është e papranueshme çdo formë e imponimit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, i cili sipas tij duhet të zgjidhet në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe më rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Para se të arrinte në Beograd, ambasadori Wisner vizitoi Kosovën ku bëri thirrje për krijimin e mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve si një nga kushtet themelore për përmbushjen e synimeve për zgjidhjen e statusit të saj brenda vitit 2006. Ambasadori Wisner pritet të vizitojë edhe Tiranën dhe Athinën.

XS
SM
MD
LG