Lidhje

Organizatat perëndimore ndihmojnë për të luftuar sëmundjet në vendet në zhvillim


Një grup organizatash perëndimore janë bashkuar për të ndihmuar vendet e varfëra për gjetjen e mënyrave të thjeshta, pak të kushtueshme në luftimin e sëmundjeve. Libri i tyre titullohet “Përparësitë në kontrollin e sëmundjeve në vendet në zhvillim”.

Afër 3 milionë fëmijë, pjesa më e madhe në Afrikë, vdesin çdo vit nga malarja dhe një numër më i madh nga sida. Në botën e tretë, shumica e fëmijëve nën 5 vjeç që nuk arrijnë të mbijetojnë, vdesin në muajin e parë të jetës.

Por vendet në zhvillim janë shpesh të varfëra dhe nuk kanë mundësi të zhdukin sëmundjet dhe vdekjet e hershme me ilaçe të fjalës së fundit.

Bill dhe Melinda Gates, po financojnë një projekt bashkë me Bankën Botërore, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar Amerikan të Shëndetësisë. Nga projekti doli një udhëzues prej më shumë se një 1 mijë faqesh për mënyra pak të kushtueshme e të thjeshta për parandalimin apo trajtimin e sëmundjeve.

Nancy Yinger e Zyrës mbi Popullsinë, një organizatë tjetër partnere, drejton përpjekjet për shpërndarjen e këtij informacioni.

“Është pozitive që jeta mesatare në vendet në zhvillim është rritur ndjeshëm gjatë gjysëmshekullit të fundit, por nga ana tjetër, 40 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga virusi hiv apo sida dhe një e katërta e vdekjeve ndodhin për shkak të sëmundjeve që ne i mendojmë si karakteristike për këto vende”.

Vaksinat e tetanozit për gratë shtatzëna janë një zgjidhje e thjeshtë. Në shumë vende afrikane, lindjet kryehen prej mamive larg nga spitalet dhe shumë prej tyre përdorin instrumenta të pasterilizuara për prerjen e kërthizës.

Mbajtja mjaft ngrohtë e të sapolindurve nënpeshë gjatë ditëve të para të jetës, është një rrugë tjetër shpëtimi. Për parandalimin e malarjes, tani prodhohen kanupjerë më të lehta e më të mira.

“Kanupjerë të dobët janë përdorur në këto vende prej kohësh, por janë bërë përparime teknologjike në prodhimin e tyre dhe ato spërkaten tani me insekticide”.

Këshillë tjetër është përdorimi i pengesave për uljen e shpejtësisë për pakësimin e aksidenteve automobilistike. Kurse për pakësimin e duhanit dhe të sëmundjeve të aparatit të frymëmarrjes, autorët sugjerojnë taksa ndaj cigareve.

Zonja Yinger e pranon se shumë prej qeverive të vendeve në zhvillim shpenzojnë pak në shëndetësi.

“Përfshirja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bankës Botërore në këtë nismë do të thotë se aktorët kryesorë që drejtojnë diskutimin mbi përdorimin e efektshëm të fondeve do të marrin pjesë në dialog, gjë që do të japë rezultat”.

Në libër theksohet domosdoshmëria e furnizimit të vendeve të botës së tretë me ilaçe parandaluese ndaj malarjes dhe virusit hiv. Megjithatë, libri nuk trajton disa nga shkaqet themelore të sëmundjeve, si varfëria, analfabetizmi dhe mjedisi, të cilat kërkojnë ndryshime rrënjësore e të kushtueshme.

XS
SM
MD
LG