Lidhje

Kadare mban ligjëratë në Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut


Shkrimtari Ismail Kadare mbajti mbrëmë një ligjëratë në Institutin Harriman pranë Universitetit Kolumbia të Nju Jorkut, ku trajtoi marrëdhëniet e letërsisë me diktaturën. Kadareja i bëri një analizë origjinale mbijetesës së letërsisë në kushtet e regjimeve totalitare dhe tha se sado ekstrem qoftë një regjim, ai vetëm mund ta gjymtojë letërsinë por jo ta zhdukë thelbin e saj. Kolegu ynë Ilir Ikonomi njofton nga Nju Jorku.

Ismail Kadareja ishte i ftuari i nderit i Institutit në serinë tradicionale të ligjëratave që mbahen këtu nga personalitete të njohura botërore. Ai kishte zgjedhur temën Letërsia dhe tirania, temë për të cilën ka një përvojë mjaft personale.

Letërsia dhe tirania, tha shkrimtari në fjalimin që e mbajti në frengjisht, janë dy armike të angazhuara në një duel të pamëshirshëm me njëra-tjetrën. Shpesh thuhet se tirania është tepër mizore ndaj letërsisë. Por rrallë dëgjojmë të thuhet se edhe letërsia është ndonjëherë tepër e pamëshirshme ndaj diktaturës dhe plagët që i lë asaj mund të jenë vdekjeprurëse. Për ata që e vëzhgojnë këtë duel, tha ai, është e vështirë të parashikojnë se kush do ta mposhtë njëri-tjetrin.

Shkrimtari u hodhi pastaj një vështrim historik përpjekjeve të regjimeve totalitare kundër letërsisë. Si fashizmi ashtu edhe komunizmi, tha ai, u angazhuan në luftën kundër letërsisë, por sidomos komunizmi sepse ai pati më shumë kohë për një luftë sistematike për jetë a vdekje me letërsinë. Rënia e komunizmit, tha Kadareja, u shoqërua me shumë pluhur dhe përshtjellim sepse kishte njerëz që dëshironin që ky përshtjellim të vazhdonte pasi ata kishin shumë gjëra për të fshehur. Në fushën e letërsisë kaosi ishte tepër i madh dhe ai vazhdon. U ngatërruan shkrimtarët që kishin bërë gjithçka për të mbrojtur letërsinë e vërtetë me të tjerët që e shkelën atë me këmbë. Aq më tepër u ngatërruan shkrimtarët mediokër me spiunët e regjimit.

Në ligjëratën e tij, shkrimtari Ismail Kadare përsëriti thirrjen që vendet ish komuniste, të hapin arkivat. Kjo, tha ai, është e nevojshme për t’u dhënë fund paqartësive dhe sidomos për të mos ngatërruar marrëzitë e padëmshme të të ashtuquajturit realizëm socialist me krimet e vërteta ndaj letërsisë. Në një shoqëri demokratike normale, tha shkrimtari, nuk mund të jetosh normalisht me një ndërgjegje të gjymtuar. E vërteta e arkivave sekrete është si një pasqyrë përpara kësaj ndërgjegjeje të gjymtuar. Askush, tha ai, nuk u kërkon shkrimtarëve që të shkatërrojnë tiraninë, sepse diktatura nuk mund të shkatërrohet me romane apo me poezi, por nga ana tjetër është e drejtë që shkrimtarëve t’u kërkohet që të paktën të mos e braktisin letërsinë.

Ismail Kadareja nuk iu referua konkretisht Shqipërisë ose pozicionit të tij si shkrimtar në kushtet e regjimit komunist, por foli për një audiencë të interesuar për problemet madhore të letërsisë sidomos në vendet e dala nga diktaturat komuniste.

Drejtoresha e Institutit Harriman, Katerine Tajmer Njepomnjashi, tha se tema e zgjedhur nga Kadareja është me rëndësi, dhe ai e trajtoi atë me shumë mjeshtëri. “Mendoj se ligjërata ishte elokuente. Më pëlqeu sidomos ideja që theksoi zoti Kadare se letërsia në vetvete, nga vetë karakteri i saj, është diçka e huaj me tiraninë”, tha zonja Njepomjash.

Duket se mes publikut amerikan interesimi për librat e Kadaresë është shtuar dhe disa gazeta amerikane me emër janë shprehur me tone entusiaste për këto libra. Megjithatë shkrimtari deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë turne në Shtetet e Bashkuara për promovimin e librave të tij.

Një pengesë është ndoshta fakti që Kadareja nuk e flet anglishten. Përkthyesi dhe shkrimtari David Bellos, deri tani ka ripërkthyer 5 libra të Kadaresë nga frengjishtja në anglisht dhe puna vazhdon. Bellos ka besim se përkthimet e tij nuk i janë larguar shumë origjinalit. “Sa nga Shqipëria humbet në përkthimet e mija, këtë e kam të vështirë ta gjykoj. Këtë duhet të ma thoni ju mua. Por mund të them se sa do shumë që të humbas në përkthim, ajo që mbetet mjafton për t’i bërë librat e Kadaresë të fuqishme edhe në anglisht”, tha zoti Bellos.

Çdo vit, Instituti Hariman fton një personalitet të njohur të kulturës apo të politikës për të mbajtur një ligjëratë madhore drejtuar pedagogëve dhe studentëve si dhe publikut të gjerë. Ndër ata që kanë folur në ciklin e këtyre ligjëratave kanë qenë edhe ish presidenti rus Mikhail Gorbaçov dhe ish kancelari gjerman Helmut Schmit.

Instituti Harriman, i cili ka marrë emrin e politikanit dhe bamirësit të njohur amerikan Averrell Harriman, është instituti më i madh dhe më i vjetër në Shtetet e Bashkuara që merret me studime për Rusinë, Evropën Lindore dhe Ballkanin. //rd//

XS
SM
MD
LG