Lidhje

Shkrimtari Ismail Kadare merr çmimin për arritjet e një jete nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan


Shkrimtari i njohur Ismail Kadare tha se asnjëherë nuk ka patur në botë kaq shumë shqiptarë të lirë, dhe kjo duhet t’i bëjë ata optimistë për të ardhmen. Zoti Kadare i bëri komentet dje në Nju Jork duke marrë çmimin për arritjet e një jete dhënë nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, organizatë që interesohet për çështjet shqiptare kudo në Ballkan.

Shkrimtari Ismail Kadare i falenderoi ata që i dhanë çmimin, jo thjesht për nderin që i bënë atij personalisht por për faktin që ata nderuan një njeri të kulturës sepse shpesh, tha ai, kultura harrohet. Kombin shqiptar, tha zoti Kadare, përpara se ta integrojë në botë politika, do ta integrojë kultura e tij, sepse kultura ka një avantazh ndaj politikës: ajo nuk është përçarëse, siç qëllon të jetë politika.

"Asnjë artist, asnjë shkrimtar nuk shkruan vepra që të jenë për një parti politike, ose për një tjetër, për të djathtën ose për të majtën, për veriun apo për jugun, për të krishterët, myslimanët apo katolikët, për Shqipërinë e brendëshme, siç quhet shteti amë historik apo për Shqipërinë e jashtëme që është Kosova, një pjesë e Maqedonisë dhe e Malit të Zi dhe Shqipërinë e largët që është diaspora. Shkrimtari shkruan për të gjitha këto pa bërë asnjë dallim. Gjeografia e shkrimtarit është fare e ndryshme nga ajo e politikës. Ai nuk ka zgjedhës për t’i mbushur mendjen që të jenë me të. Për të populli janë lexuesit e tij dhe lexuesit nuk kanë ngjyrë politike”.

Zoti Kadare tha se populli shqiptar gjendet përballë një problemi madhor të tij, problemit të unitetit. Sot, tha ai, kërkohet më tepër se kurrë që shqiptarët të mos jenë të përçarë, sepse problemi i përçarjes, lind zakonisht në liri e jo në robëri. Kadareja kritikoi ata njerëz që harrojnë një arritje të rëndësishme të shqiptarëve në Ballkan:

“Mund të themi se asnjëherë nuk ka patur në botë kaq shumë shqiptarë të lirë. Kjo është një gjë shumë e madhe dhe duhet të na bëjë të jemi thellësisht optimistë dhe jo të përsërisim si ato kukuvajkat: mjerë ne ç’na ka gjetur, morëm fund, s’ jetohet këtu, s’jetohet atje. Kjo gjë tregon njerëz të vegjël që harrojnë themeloren. Themelorja është kryer, themelorja është liria për një komb”.

Shkrimtari foli pastaj për të ardhmen e shqiptarëve, sidomos pas zgjidhjes së statusit të Kosovës.

“Dy shtete shqiptare në Ballkan do ta përfaqësojnë shumë bukur kombin shqiptar, do të jenë shumë të fuqishëm dhe do t’i japin shtatin e vërtetë kombit shqiptar. Dhe bashkë me këtë shtat të vërtetë do t’i japin një psiqikë tjetër shumë të shëndetëshme, sepse kur një trup plotësohet, edhe mendja plotësohet”.

Zoti Kadare ndodhet në Shtetet e Bashkuara për disa veprimtari siç ishte një ligjëratë që mbajti të hënën në Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut mbi marrëdhëniet midis letërsisë dhe tiranisë, si dhe për takime me komunitetin shqiptaro-amerikan, të cilit i transmetoi mesazhe optimizmi për të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me qendër në Nju Jork, nderon herë pas here me çmime personalitete të ndryshme që kanë dhënë ndihmesë në përparimin e interesave shqiptare në Ballkan. Midis atyre që janë nderuar me çmime të tilla kanë qenë ish Presidenti Bill Clinton dhe ish sekretarët e shtetit James Baker dhe Madeleiene Albright.

XS
SM
MD
LG