Lidhje

Tërmkolli: Opozita në Kosovë me çdo kusht do të jetë pjesë e qeverisjes


Në një intervistë për programin televiziv "Ditari," Ministrja e Shërbimeve Publike e Kosovës, Melihate Tërmkolli , tha se opozita në Kosovë, me çdo kusht kërkon të jetë pjesë e qeverisjes, duke harruar se edhe qënia si opozitë është pjesëmarrje e plotë në procesin e pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zonja Ministre, si do ta komentonit ju kërkesën e Partisë Demokratike të opozitës për formimin e një qeverie me bazë të gjerë, pikërisht në kushtet kur ka filluar procesi i bisedimeve për statusin e Kosovës?

Melihate Tërmkolli: Kërkesat e opozitës nuk janë të tanishme, ato janë të kahmotshme; në fakt prej kohës kur ne kemi bërë një qeveri mbi bazë të koalicionit LDK-AAK dhe ka patur kërkesa të vazhdueshme të opozitës që kjo qeveri të mos funksionojë; në fakt, po bëhet një fushatë e vazhdueshme gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, për thjesht rrëzimin, ta quajmë kështu, të kësaj qeverie. Kjo po bëhet pikërisht në momentin kur Kosova është në momente të rëndësishme të zhvillimeve të saj. Ne kemi patur kërkesa edhe më herët, në kohën e fillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës dhe tani kemi edhe kërkesa aktuale, tash kur Kosova është në pragun e zgjidhjes së statusit të saj, respektivisht të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Unë mund të them që është vetëm thjesht çështje e një fushate. Opozita me çdo kusht do të jetë pjesë e qeverisjes, për të marrë në se do të mund ta quanim, një pjesë; por kjo është e pakuptueshme, sepse edhe qënia si opozitë është pjesëmarrje e plotë në procesin e pavarësisë së Kosovës. Kështu që ajo mund të jetë vetëm një çështje e fushatës.

Zëri i Amerikës: Një ndër kritikat që drejton opozita, Partia Demokratike e zotit Thaçi ndaj qeverisë aktuale, është edhe mungesa e përparimit në zbatimin e standarteve, të caktuara nga komuniteti ndërkombëtar. Si do ta vlerësonit ju ecurinë e zbatimit të standarteve dhe në çfarë fushash mbetet akoma për t’u bërë?

Melihate Tërmkolli: Absolutisht është e pasaktë ajo që thotë opozita, për faktin që është pikërisht rezultati që ka arritur qeveria e Kosovës në përmbushjen e standarteve, ajo që bëri qeveria, por edhe puna e institucioneve të tjera, që të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës. Pra, ne kishim paraprakisht një kërkesë, apo një limit për të arritur rezultate, në mënyrë që të fillonin bisedimet; kështuqë ajo është arritur dhe tani ne kemi një punë po ashtu dinamike dhe një angazhim jashtëzakonisht të lartë të kësaj qeverie në drejtim të përmbushjes së standarteve; presim që tani ato do të vlerësohen shumë pozitivisht nga UNMIK-u, por edhe Kombet e Bashkuara dhe gjithësesi, kjo do të jetë shumë e rëndësishme dhe pozitive edhe për zgjidhjen finale të statusit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Një tjetër kritikë e opozitës ndaj qeverisë është se ajo është e korruptuar, bile më saktë, Kryetari i Partisë Demokratike, zoti Thaçi e ka quajtur atë të inkriminuar. Sa bazë kanë këto shqetësime të tij?

Melihate Tërmkolli: Vazhdimisht, kjo ka qenë pjesë e fushatës që ka bërë opozita, respektivisht, Partia Demokratike e Kosovës. Shpeshherë, këto kritika janë bërë ndoshta për të mbuluar veprimet e veta, kur ka qenë në krye të qeverisë së Kosovës, si dhe nga pamundësia që të kenë votën e qytetarëve të Kosovës, thjesht sa për të bërë një fushatë, plotësisht të pabazuar. Unë nuk them që nuk ka shfaqje të tilla që ndodhin në Kosovë, ashtu si në shumë vende të botës; por është shumë e preferueshme edhe për opozitën dhe gjithësesi edhe për pozitën, që t’i luftojë këto fenomene dhe thjesht t’i ndihmojë Kosovës në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre proceseve.

Zëri i Amerikës: Zonja Ministre, Regjistrimi i Popullsisë, është një çështje më tepër se teknike, një çështje politike, tepër e debatueshme në Kosovë. Duke patur parasysh se që nga viti 1981 nuk ka patur regjistrim popullsie, apo prone në Kosovë, në çfarë faze ka hyrë tani ky proces?

Melihate Tërmkolli: Po, regjistrimi i popullsisë është një nga projektet më madhore të vendit, për faktin se nuk kemi patur për një kohë të gjatë regjistrim të popullsisë dhe për faktin që me të dhënat që do të dalin nga regjistrimi i popullsisë, ne do të kemi mundësinë që të krijojmë një bazë të mirë të hartimit të planeve zhvillimore të vendit. Përgatitjet janë duke u zhvilluar në normalitetin e tyre dhe kujtoj që janë në fazë finalizimi disa prej tyre. Një pjesë tjetër do të zhvillohen dhe më tutje, deri në kohën kur do të bëhet regjistrimi. Unë do të thoja se ajo është një përkrahje e gjerë e institucioneve për këtë proces të rëndësishëm dhe unë besoj se do të jetë edhe përkrahja e plotë e qytetarëve të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Çfarë biseduat me zyrtarët amerikanë këtu në Washington lidhur me këtë çështje?

Melihate Tërmkolli: Ndër takimet që ne kemi patur në këtë kuadër, kemi patur takime edhe me Drejtorin e Zyrës Federale të Statistikave dhe të Regjistrimit të Popullsisë. Kemi biseduar për konceptin, modalitetet, metodologjinë e regjistrimit të popullsisë dhe natyrisht, një ndihmesë do të mund të ushtronte Zyra Federale e Statistikave, në ndihmesë të përgatitjeve sa më të mira për regjistrimin e popullsisë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Të kalojmë pak tek Partia juaj. Çfarë do të ndodhë me LDK-në? Që pas vdekjes së kryetarit të saj ajo është ende pa kryetar. Flitet për fraksione brenda Partisë, për ndarje të Partisë. Çfarë mund të thoni për Partinë tuaj?

Melihate Tërmkolli: Unë do të thoja se vdekja e Presidentit Rugova me të vërtetë ka lënë një zbrazësi jashtëzakonisht të madhe; do të thotë se forca e zbrazësisëka qenë kaq qenë aq e madhe, sa ka qenë edhe forca e punës së tij në institucionet e Kosovës, si President i Kosovës, por edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Dhe unë besoj fuqishëm se atë trashëgimi të madhe që ka lënë presidenti Rugova, LDK-ja do të dijë ta menaxhojë siç duhet dhe do të ketë një proces demokratik dhe një proces normal të zgjedhjes të kryetarit të ri.

Zëri i Amerikës: A mendohet në këto kushte të ketë një Kongres Partie?

Melihate Tërmkolli: Po, gjithësesi po. Është koha e paraparë, normale, për të mbajtur zgjedhjet e reja në Lidhjen Demokratike dhe nuk ka arsye që ato të mos zhvillohen ashtu siç duhet.

XS
SM
MD
LG