Lidhje

Presidenti Bush takohet me Presidentin e Kinës, Hu Gjin Tao

  • Skot Stërns

Nën një diell verbues, Presidenti Bush dhe Presidenti Hu kaluan në revistë truprorjen e nderit në pjesën jugore të oborrit të Shtëpisë së Bardhë. Ceremonia ishte pjesë e protokollit të pritjeve zyrtare dhe kjo ishte vizita e parë zyrtare e Presidentit Hu në Uashington.

Tregëtia ishte në krye të rendit të ditës së bisedimeve. Volumi tregëtar mes dy vendeve arrin në 285 miliardë dollarë në vit, por hendeku tregëtar po thellohet, duke kapur shifrën 202 miliardë dollarë në favor të Kinës.

Duke theksuar se dy vendet janë të angazhuara për të zgjeruar tregëtinë, Presidenti Bush thotë se tregëtia mes tyre duhet të jetë e balancuar më mirë. “Marrëdhëniet tona tregëtare mund të bëhen më të forta, ndërsa Kina miraton ligje që do të lejonin firmat amerikane të konkurrojnë në Kinë me të njejtën lehtësi që firmat kineze konkurojnë këtu në Shtetet e Bashkuara”. Presidenti Bush thotë se tregëtia e lirë është pjesë e statusit të Kinës si anëtare e përgjegjshme e sistemit ekonomik botëror dhe një vend kryesor në tregëtinë botërore.

Duke folur përmes një përkthyesi, Presidenti Hu tha se do të vazhdojë përpjekjet për reformimin e sistemit të këmbimit të monedhës kineze për të hapur më tej tregjet kineze, për të shtuar importet dhe për të forcuar ligjet për të drejtat e autorit. “Ne do të vazhdojmë të ndjekim strategjinë e shtimit të kërkesës së brendshme për të patur zhvillim ekonomik dhe social të balancuar dhe të shpejtë. Kjo do të shtojë mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”.

Presidenti Hu tha se është gati të çojë përpara dialogun bazuar në parimin e respektit reciprok dhe barazisë për të përmirësuar “kauzën botërore për të drejtat të njeriut”.

Gjendja e të drejtave të njeriut në Kinë ka qënë vazhdimisht burim përplasjesh midis dy vendeve dhe Presidenti Bush ka bërë thirrje për liri më të mëdha individuale. Me shtimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, presidenti Bush tha se udhëheqësit e tyre mund të jenë të hapur rreth mosmarrëveshjeve dhe se ai do të vazhdojë të këmbëngulë në çështjen e të drejtave të njeriut.

Komentet e Presidetit Hu në mjediset e Shtëpisë së Bardhë u ndërprenë për pak kohë nga një protestues që thërriste me zë të lartë se ditët e Presidentit Hu janë të numëruara dhe që i kërkonte Presidentit Bush t’i kërkonte homologut kinez të merrte masa që anëtarët e lëvizjes shpirtërore Falun Gong të mos ndiqen nga autoritetet.

Presidenti Bush, me një pamje disi të shqetësuar në fytyrë nga protestuesja, i tha presidentit Hu të vazhdonte fjalimin. Më pas protestuesja u largua nga autoritetet.

Jashtë Shtëpisë së Bardhë ndërkohë vazhdonin protesta të ngjashme. Anëtarja e lëvizjes Falun Gong, Chi Hwan, tha se dëshironte që Presidenti Bush ta ngrinte këtë çështje me udhëheqësin kinez. “Shpresoj që Presidenti Bush ta përmendë këtë çështje, ndjekjen që u bëhet anëtarëve të kësaj lëvizjeje në Kinë, dhe t’i kërkojë zotit Hu t’i japë fund kësaj praktike. Kjo është një çështje shumë serioze”.

Nga ana tjetër e rrugës, përkrahës të Partisë Komuniste të Kinës kishin organizuar një koncert me valle tradicionale kineze dhe përshëndesnin vizitën e Presidentit Hu. Një prej tyre thotë se administrata e Presidentit Hu ka arritur përparime të mëdha duke përmirësuar jetën e popullit kinez. “Ne jemi të kënaqur me atë që ka bërë qeveria kineze për të përmirësuar rritjen ekonomike dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me vendet e tjera të botës.”

Presidenti Bush tha se ai e vlerëson rolin e Kinës për organizimin e bisedimeve 6-palëshe që synojnë të bindin Korenë e Veriut të heqë dorë nga programi i saj bërthamor. Në bisedime, ku marrin pjesë Shtetet e Bashkuara, Kina, Japonia, Rusia, Koreja e Jugut, Koreja e Veriut është arritur pak pëparim.

Presidenti Bush i bëri thirrje udhëheqësit kinez të përdorë ndikimin e tij tek Pheniani drejt synimit për të patur një gadishull korean pa armë bërthamore. //az//

XS
SM
MD
LG