Lidhje

Sollaku kërkon më shumë kohë t'u përgjigjet akuzave


Në Shqipëri Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku tha se ai nuk mund të paraqitet nesër në Komisionin e Ligjeve ku po shyrtohet kërkesa e 28 deputetëve të djathtë për të nisur procedurat e shkarkimit të tij. Ai e ka quajtur të pamjaftueshme kohën e lënë në dispozicion për t'u përgatitur ndaj numrit të madh të akuzave që janë ngritur ndaj tij.

Po sot parlamenti vendosi që të marë në shqyrtim çështjen të enjten e ardhshme ku pritet të vendoset dhe ngritja e një komisioni hetimor. Opozita e cila ka shprehur mosbesim ndaj një hetimi të paanshëm ka kërkuar ekspertë të huaj gjatë punës së komisionit.

Një ditë më parë Komisioni parlamentar i ligjeve vendosi të ftonte në takimin e nesërm edhe prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku në mënyrë që ai të jepet shpjegime ndaj 83 shkeljeve dhe abuzimeve për të cilat ai akuzohet nga një grup deputetësh të djathtë.

Sot zoti Sollaku i ka kthyer përgjigje Komisionit. Ndërsa shpreh dëshirën që ai të dëgjohet prej anëtarëve të Ligjeve, kryeprokurori ka theksuar megjithatë se “ështe pamundur që në afatin prej një dite të bëhet përgatitja për të paraqitur në komision dhe për të dhënë shpjegime për problematikën e ngritur në kërkesën për shkarkim”. Duke iu referuar numrit të madh të shkeljeve për të cilat akuzohet, kryeprokurori ka kërkuar të pakëtn 10 ditë kohë, nga 15 ditë që vetë komisioni ka në dispozicion për të marrë në shyrtim këtë cështje. Por kërkesa e kryeprokurorit është e qartë se do të mbetet vetëm në letër.

Sot parlamenti vendosi që të enjten e ardhshme të votojë për mundësinë e ngritjes së komisionit hetimor. Socialistët të cilët kanë shprehur haptazi dyshime të thella për synimet politike të nismës së shumicës dhe sot kryetari i grupit parlamentar Pandeli Majko kërkoi që puna e komisionit hetimor të asisitohet dhe nga ekspertë të huaj. Edhe gjatë seancës së sotme të parlamentit.

Çështja Sollaku nuk është anashkaluar, duke shkaktuar debate dhe akuza të ndërsjellta mes palëve. Po sot Prokurori i Përgjithshëm në një takim me drejtuesit e prokurorive në rrethe ka kërkuar që puna të vazhdojë në respekt të ligjit dhe përgjegjësive që ata kanë. Zoti Sollaku është shprehur se “Pavarësisht nga situata e krijuar, nuk duhet të lejohet gjallërimi i elementeve kriminalë, por duhet të vazhdojë ndëshkimi i shkelëseve të ligjit dhe të intensifikohet më tej lufta kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve korruptive”. Në malin e shkeljeve dhe akuzave që i përmenden Prokurorit të Përgjithshëm është përfshirë edhe bashkëshortja e tij, gjyqtare në profesion e akuzuar për fallsifikime, apo lidhje me bandën e Aldo Bares dhe organizatën Hakmarrje për Drejtësi.

Duke i quajtur këto akuza si shpifje zonja Sollaku i ka drejtuar një letër të hapur Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në këtë letër ajo kujton se ka marrë tashmë përgjigje dhe nga ministri i Drejtësisë i cili sipas saj ka konsideruar të rregullt praktikën e ndjekur prej saj në një nga rastet që i përmenden si shkelje e fallsifikim. Zonja Sollaku megjithatë ka kërkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë që të verifikohen dhe kontrollohen vendimet e marra nga ajo si gjyqtare në rastet për të cilat sulmohet. //rd//

XS
SM
MD
LG