Lidhje

Nepal: dy nga shtatë partitë politike hodhën poshtë një ofertë të mbretit për t’ia kthyer pushtetin popullit


Në Nepal, dy nga shtatë partitë politike të vendit e hodhën poshtë një ofertë të mbretit për t’ia kthyer pushtetin popullit, duke thënë se propozimi ishte i pamjaftueshëm.

Udhëheqësit e Partisë së Kongresit dhe të partisë Demokratike të Kongresit thanë se Mbreti ka premtuar vetëm zgjedhje parlamentare. Por ata kërkojnë zgjedhjen e një asambleje kushtetuese në mënyrë që të mund të hartohet një kushtetutë e re.

Ata thanë se shumica e partive duan një kushtetutë e cila ta bënte mbretin një figurë thjesht ceremoniale ose ta eliminonte krejtësisht monarkinë.

Por aleanca kryesore prej shtatë partish, e cila mbështetet tani nga kryengritësit maoistë, ende nuk ka reaguar zyrtarisht.

Mbreti i Nepalit, Gyanendra, gjatë një fjalimi sot në televizion, i bëri thirrje aleancës të emërojë sa më shpejt një kryeministër. Ai deklaroi se do të kthejë demokracinë shumëpartiake në këtë vend të Himalajeve, 15 muaj pasi vendosi pushtetin absolut duke shkaktuar një krizë politike të shoqëruar me gjakderdhje.

Deklarata e mbretit bëhet pas protestave kundër tij që zgjatën 16 ditë dhe ku morën pjesë dhjetra mijë njerëz, të cilët nuk përfillën ndalimqarkullimin dhe urdhërat për të hapur zjarr pa paralajmërim. Policia vrau 13 protestues dhe dhjetra të tjerë u plagosën. Rreth 700 veprimtarë të opozitës janë ende në burg.

XS
SM
MD
LG