Lidhje

Ismail Kadare: Prania e dy shteteve shqiptare në Ballkan do të jetë e mirë për vizionin e shqiptarëve


Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës gjatë qendrimit në Shtetet e Bashkuara, shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare tha se me zgjidhjen e statusit të Kosovës, prania shqiptare në Ballkan do të jetë e fuqishme. Duke folur për ato që ai i quajti “dilema” tek disa shqiptarë lidhur me përkatësinë e tyre, ai tha se kombi shqiptar e ka vendin në Evropë dhe jo në Lindje. Ismail Kadareja erdhi në Shtetet e Bashkuara për të mbajtur një ligjëratë në Institutin Harriman të Nju Jorkut mbi marrëdhëniet mes letërsisë dhe tiranisë.

Zëri i Amerikës: Ky është një vit me rendësi për Kosovën, statusi i së cilës është në prag të zgjidhjes. Në Ballkan duket se do të krijohet së shpejti një shtet i ri. Çfarë prisni që të sjellë krijimi i këtij shteti të ri në psikologjinë shqiptare në përgjithësi?

Ismail Kadare: Me sa duket kjo do të ndodhë. Do të krijohet një tjetër shtet shqiptar në Ballkan, pra do të ketë dy shtete shqiptare. Për shumëkënd kjo u duk në fillim si pak e çuditëshme, e papranueshme. Këtu nuk ka asgjë të papranueshme, është normale. E papranueshme, e tmerrshme ishte që gjysma e kombit shqiptar nuk kishte liri, ishte në gjendjen e një kolonie. Kjo ishte skandaloze. Kurse zgjidhjet e tjera janë të gjitha logjike. Nuk duhet harruar që dikur, nëse hapim kronikat e Rilindjes, flitej për katër Shqipëri, ose katër vilajete siç quheshin. Prandaj këtu nuk ka asgjë të keqe dhe kjo është një përvojë që e njeh bota. Ka disa kombe që përbëhen nga dy shtete madje nga dy shtete e gjysmë. Pra, me sa duket, në një kohë të afërt në Ballkan do të ketë dy shtete shqiptare dhe kjo është një gjë e mirë për të gjithë hapësirën shqiptare, për vizionin e kombit shqiptar, për shtatin e tij, për përmasat e tij. Dhe kur trupi është më i plotë, edhe mendja bëhet më e plotë. Është diçka që i përshtatet kombit shqiptar dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi ka një gjë të mirë: prania shqiptare në Ballkan do të jetë e fortë, e fuqishme. Kur them këto fjalë nuk i them sepse neve na duhet një prani e fuqishme për të uzurpuar ndonjë vend tjetër ose për t’u shtrirë diku ku s’na përket. Absolutisht jo. Kombi shqiptar do të gjejë shtatin e vet natyral. Se e ka gjetur këtë në një hapësirë unike ose në dy, kjo nuk ka shumë rëndësi. Kryesorja është që kombi shqiptar po hyn në Evropë me atë shtat që ka dhe jo me një shtat të gjymtuar siç ka qenë deri më sot.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit ju keni shprehur një farë ndjeshmërie për faktin që një pjesë e shqiptarëve priren të shohin drejt lindjes se sa drejt perëndimit, të cilin ju e konsideroni si vendin e natyrshëm të tyre. Cilat janë shkaqet e këtij preokupimi?

Ismail Kadare: Këtu kemi të bëjmë më tepër me një keqkuptim sepse nëqoftëse shqiptarëve do t’u shpjegohet mirë se çfarë është Lindja dhe çfarë është Perëndimi dhe përse ata i përkasin kontinentit evropian, atëhere nuk do të ketë dy mendime për këtë gjë por do të ketë një mendim. Natyrisht në çdo vend ka gjithmonë grupe të vogla që mendojnë mbrapsht dhe nuk u pëlqen kurrë mendimi i përgjithshëm por unë mendoj që vendi i shqiptarëve në Evropë është një vend objektivisht i natyrshëm, nuk është fryt i një propagande ose i një plani strategjik apo një shpikje. Shqiptarët e kanë pasur vendin në Evropë, e kanë dhe do ta kenë në Evropë. Nuk ka kontinent tjetër për ta. Prandaj vetë pyetja kur shtrohet, për mua përmban një element absurditeti. “Jo, po ne kemi edhe elemente nga Lindja,” thonë disa. Të gjithë vendet kanë elementë nga Lindja, disa herë edhe vende të largët. Të marrim Spanjën. Për shkak të një bashkëjetese relativisht të gjatë me botën arabe dhe myslimane, në kulturën, arkitekturën dhe gjuhën e saj ka gjurmë të kësaj bashkëjetese dhe kjo është normale, ashtu siç ndodh me të gjitha vendet. Por askush nuk mund të thotë se Spanja është midis Lindjes dhe Perëndimit. Ajo ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një vend evropian. E tillë është pak a shumë pozita e Shqipërisë. Ne nuk jemi më afër asaj që quhet Lindje se shtete të tjera. Ka një sërë shtetesh që janë në kufi me Lindjen, shumë më afër se ne, prandaj s’ka pse ne t’i krijojmë vetes një lloj dileme të kotë, një lloj pyetje, hamendje, dyshimi nëse jemi më shumë kështu apo më shumë ashtu.

Zëri i Amerikës: Ka patur raste që në Shqipëri tensione ndërfetare janë rritur, përfaqësues të njërit besim fetar ankohen për veprime të besimtarëve të një feje tjetër, siç e kemi pare për shembull gjatë këtij viti. A është ende e vlefshme shprehja se marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri janë të shkëlqyera, apo kjo ka mbetur thjesht një formulë për t’u dukur mirë në sytë e botës.

Ismail Kadare: Nuk mendoj se ka qenë një formulë e sajuar për propagandë të trandafiltë, pra për t’u dukur mirë. Jo. Kjo ka qenë një gjë e vërtetë. Nëqoftëse do të kishte patur dizarmoni fetare, Shqipëria do të ishte shpërbërë prej kohe ose do të ishte tani një grumbull krahinash që kush e di se si do të kishin përfunduar po të ishin ndarë sipas feve. Kështuqë harmonia fetare, marrëveshja midis feve ka qenë një realitet, një gjë për të cilën shqiptarët janë krenuar me të drejtë. Sepse, duke qenë një popull shumë energjik në grindje, siç janë për fat të keq, ata do ta gjenin fenë si një vjegë, si një pretekst për t’u shpërbërë. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka pse të ndodhë tani. Natyrisht, në liri shfaqen probleme që për arësye madhore të robërisë nuk janë dukur më parë. Shqiptarët kanë patur probleme të tjera. Kur gjysma e Shqipërisë ishte shtypur nga komunizmi shqiptar dhe gjysma tjetër nga komunizmi serb, sigurisht që problemet fetare dalin në plan të dytë. Kështuqë kur vjen liria – Shqipëria dhe kombi shqiptar përgjithësisht, në shumicën e strukturës së vet janë të lirë - natyrisht që do të dalin probleme më të sofistikuara dhe prandaj del edhe problemi i kësaj harmonie fetare e cila, për mendimin tim nuk ka pse të rishikohet. Ajo ka qenë një përvojë shumë e vlefshme për kombin shqiptar por ajo duhet mirëmbajtur dhe duhet riushqyer, asaj i duhet bërë meremetim ashtu si çdo ndërtesë në këtë botë që kërkon mirëmbajtje.

Zëri i Amerikës: Sa rëndësi ka kërkimi i identitetit etnik apo fetar për shqiptarët në një botë ku kryefjala është globalizimi? Cfarë duhet harruar dhe çfarë duhet ruajtur në këtë identitet?

Ismail Kadare: Unë mendoj se identiteti shqiptar nuk bie ndesh me atë që quhet identitet evropian. Absolutisht jo. Evropa, që në themelet dhe në frymën e saj është Evropë e kombeve. Nuk është Evropa e fshirjes së kombeve. Nuk ka ndonjë Evropë abstrakte, të përgjithshme. Nuk ka ndonjë Evropë siç ishte doktrina e komunizmit sipas të cilës “jemi në radhë të parë komunistë pastaj kemi edhe kombësitë tona, jemi sovjetikë pastaj jemi edhe lituanezë, gjeorgjianë apo armenë” siç thuhej për kombet në ish Bashkimin Sovjetik. Jo. Evropa po ndërtohet si një Evropë e kombeve dhe jo si një Evropë e fshirjes së identiteteve. Prandaj, identiteti shqiptar si identitet themelor në Ballkan, është po aq i fuqishëm sa edhe identiteti grek, identiteti i sllavëve të jugut dhe s’ka pse neve të na shqetësojë një gjë e tillë. Ne kështu do të bëjmë pjesë në mozaikun evropian dhe kështu është e gjithë Evropa: në veri janë identitetet e vendeve skandinave, në qendër janë të tjera identitete, në perëndim të tjerë dhe në lindje të tjerë.

Zëri i Amerikës: Ndoshta vendet perëndimore nuk janë treguar aq dashamirës ndaj shqiptarëve, e kam fjalën te vështirësitë e mëdha që ende kanë ata për të udhëtuar në Perëndim. Duket sikur Perëndimi tregon një farë përbuzjeje ndaj faktit që shqiptarët janë ende të varfër. Kush e ka fajin në të vërtetë?

Ismail Kadare: Vështirësia për të udhëtuar në Perëndim është e përgjithshme. Ka një sërë vendesh, një pjesë e Evropës, nuk udhëton dot në Evropë. Kjo është e vërtetë. Është gjithashtu e vërtetë se për ne shqiptarët vitet e fundit është krijuar një lloj teprimi në këtë kah. Unë e kam ngritur disa herë që Shqipëria duhet të marrë masa për t’u mbrojtur nga racizmi antishqiptar. Çdo komb në Evropë e ka për detyrë t’i bjerë ziles së alarmit kur konstaton se me pa të drejtë – dhe gjithmonë racizmi është i padrejtë – ka shenja të racizmit. Unë e përsëris se ne nuk duhet të flemë mbi dafina por të shqetësohemi kur njerëzit tanë bëjnë gjëra të padenja por gjithashtu duhet të shqetësohemi kur pa të drejtë të tjerët na e teprojnë këtë gjë sepse racizmi krijon një kundërveprim shumë të keq tek një popull. Ai ose bëhet po ashtu racist ose egërsohet.

Zëri i Amerikës: Në ligjëratën që mbajtët në Institutin Harriman të Nju Jorkut ju folët për marrëdhëniet ndërmjet letërsisë dhe tiranisë. Tani që në Shqipëri tirania nuk ekziston më, me sa efektivitet po e shfrytëzojnë shqiptarët lirinë e fituar në aspektin e kulturës dhe të artit.

Ismail Kadare: Letërsia nuk përfiton e para nga liria, ndoshta përfiton e fundit. Letërsia është mësuar të jetojë në të dyja, edhe në mungesë të lirisë edhe në liri, prandaj ajo nuk përfiton përnjëherësh, përfitimi i saj është afatgjatë. Jeta shoqërore shqiptare do të ketë përfitime të tjera shumë të dukshme dhe i ka ndërkaq. Por në fund vjen arti sepse kalendari i artit është i ndryshëm, është shumë i ngadaltë, zhvillimi i tij është i ngdalatë dhe prandaj letërsia dhe artet jetojnë shumë gjatë sepse pjekurinë e tyre e arrijnë ngadalë.

XS
SM
MD
LG