Lidhje

Presidenti Bush flet për energjinë alternative ndërsa rriten çmimet e naftës


Ndërkohë që çmimet e naftës bruto kanë arritur në 75 dollarë për fuçi, Presisenti Bush po kërkon ndërhyrjen e Kongresit në lidhje me një plan për të cilin thotë se do ta ulë koston e energjisë. Demokratët e opozitës po e shfrytëzojnë këtë gjendje për të kritikuar politikën e presidentit mbi energjinë, ndërkohë që e kanë hedhur vështrimin drejt zgjedhjeve të sivjetme për Kongresin.

Presidenti Bush kërkon që Kongresi të miratojë një nismë mbi energjinë, për të cilën ai thotë se do të ndryshojë mënyrën se si furnizohen me energji elektrike dhe karburant shtëpitë, bizneset dhe automjetet e amerikanëve. Ai kërkon financime më të mëdha për motorët me hidrogjen që nuk ndotin mjedisin dhe janë më të fuqishëm se motorët me benzinë. Nisma parashikon mbështetje më të madhe për kërkimet mbi automjetet hibride, të cilat përdorin benzinë dhe energji elektrike.

Zoti Bush thotë se këto të fundit do të bënin të mundur që shumë amerikanë të mos konsumonin benzinë. “Duke zhvilluar këto dhe burime të tjera të reja energjie të pastër dhe të ripërtritëshme, si për shembull etanolin, ne do të vazhdojmë të rrisim ritmet e ekonomisë, të ulim çmimet e energjisë dhe të ruajmë mjedisin, si dhe ta bëjmë Amerikën më pak të varur tek nafta nga jashtë”. Ndaj Presidentit Bush po ushtrohet trysni që të veprojë për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë në një kohë kur mbështetja e publikut për të është në pikën më të ulët.

Një sondazh i kryer nga gazeta Washington Post dhe televizioni ABC del në përfundimin se për 70 për qind të amerikanëve çmimet më të larta të benzinës po shkaktojnë vështirësi financiare. Shumica fajësojnë Presidentin Bush, politikat e të cilit në lidhje me çmimet e larta të karburantit vlerësohen negativisht nga 74 përqind e të pyeturve. Ka të ngjarë që këto shifra të mos përmirësohen në favor të Presidentit, ndërkohë që analistët e industrisë së naftës parashikojnë çmime edhe më të larta, prirje që nxitet edhe nga shqetësimet lidhur me krizën politike mbi programin bërthamor të Iranit dhe dhunën që çrregullon prodhimin e naftës në Nigeri.

Demokratët e opozitës shpresojnë të përfitojnë nga ankthi i votuesve, ndërkohë që një e treta e kandidatëvre demokratë për në senatin amerikan po i përqendrojnë veprimtaritë e fushatave të tyre zgjedhore tek rritja e çmimeve të energjisë. Demokratët e ndjejnë se presidenti është veçanërisht i pambrojtur në këtë çështje, sidomos për faktin që ai dhe nënpresidenti Dick Cheney kanë punuar vetë në sektorin e naftës.

Në fjalimin radiofonik të demokratëve, senatori nga Florida Bill Nelson kritikoi shkurtimet nga administrata të taksave për prodhuesit e naftës. “Amerikanët janë të zemëruar dhe u ka ardhur në majë të hundës nga dhuratat miliardadollarëshe për kompanitë e naftës, ndërkohë që çmimi i benzinës po shkon në qiell”. Senatori Nelson thotë se Presidenti Bush është i vetëdijshëm për këtë problem, por shton se fjalët e tij nuk mbështeten me ndryshime të forta në polikën e naftës, të nevojshme për ndryshimin e gjendjes.

Senatori demokrat kritikoi përqendrimin e republikanëve, siç u shpreh ai, tek shtimi i shpimeve nëntokësore, të cilat, sipas tij, nuk mund ta zgjidhin problemin në një vend që konsumon një të katërtën e prodhimit botëror të naftës dhe vetëm tre për qind i ka rezerva të brendshme. “Thjesht nuk mund ta zgjidhim këtë problem përmes shpimeve. Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin hapa më të fuqishme, përfshirë kursimin. Por, fillimisht, duhet t’u kundërvihemi disa interesave të fuqishme, siç është lobi i naftës,” tha senatori.

Senatori Nelson thotë se Presidenti Bush duhet të bëjë më shumë për të nxitur prodhimin e karburantit sintetik nga qymyri i gurit. Megjithëse ekziston teknologjia për rritjen e ndjeshme të standardeve të rendimentit për automjetet, thotë senatori, Presidenti Bush synon përmirësime më të vogla, duke kërkuar thjesht përdorimin e makinave më të vogla.

Me rastin e Ditës së Tokës, Presidenti Bush vazhdoi të propagandonte planin e tij për energjinë me një vizitë në një firmë partneriteti në Kaliforni e cila punon për krijimin e motorëve me hidrogjen. //rd//

XS
SM
MD
LG