Lidhje

Irani i vendosur të vazhdojë pasurimin e uraniumit


Irani thotë se veprimtaria për pasurimin e uraniumit është e pakthyeshme dhe se nuk do të heqë dorë nga programi i tij bërthamor. Ky zhvillim vjen vetëm disa ditë para skadimit të afatit që Kombet e Bashkuara i kanë vënë Teheranit për të ndalur pasurimin e uraniumit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Hamid Rezai, thotë se Teherani nuk synon ta ndalë programin e tij të pasurimit bërthamor dhe se është i përgatitur të përballet me pasojat. “Ne jemi të vendosur për të mbrojtur të drejtat tona. Kërkimet bërthamore do të vazhdojnë dhe ne nuk kemi aspak ndërmend të ndalim aktivitetin bërthamor. Kjo çështje është tashmë e pakthyeshme”, tha zoti Asafi.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së i ka dhënë Iranit afat deri të premten për pezullimin e programin të tij për pasurimin e uraniumit. Agjencia e OKB-së për Energjinë Bërthamore ka caktuar 28 prillin si datë për raportimin mbi çështjen e Iranit. Irani bëri të njohur në fillim të muajit se ka pasuruar me sukses uranium në nivelin e nevojshëm për përdorim në uzinat bërthamore.

Vendet perëndimore mendojnë se Irani mund të jetë duke prodhuar një bombë atomike, por Teherani thotë se ambiciet e tij bërthamore kanë synime paqësore. Asefi u tha gazetarëve në Teheran se Irani nuk do t’u përgjigjet atyre që ai i cilësoi kërcënime. “Irani nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij. Ne jemi të gatshëm dhe kemi bërë plane për çdo gjë që mund të ndodhë,” tha zoti Asefi.

Shtetet e Bashkuara thonë se duan një zgjidhje paqësore të krizës, por në të njëjtën kohë nuk pranuan të përjashtojnë mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake kundër Iranit. Vende të tjera të përfshira në çështjen e Iranit, si Rusia, Kina dhe Franca, janë kundër një zgjidhjeje ushtarake, për të cilën ata thonë se mund të ketë pasoja shkatërrimtare në rajon dhe në mbarë botën.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane tha se Teherani vazhdon të jetë duke e diskutuar planin e Rusisë për pasurimin e përbashkët të uraniumit në Rusi. Zyrtarët iranianë dhe ata rusë muajin e kaluar bënë të ditur atë që ata e cilësuan si një marrëveshje bazë për planin, por nuk dhanë hollësi. //rd//

XS
SM
MD
LG