Lidhje

Bode: Lufta kundër korrupsionit nuk synon personalizimin e luftës kundër individëve të veçantë

  • Intervistoi: Konda

Zëri i Amerikës: Zoti Bode, qeveria shqiptare e ka patur në programin e saj luftën kundër korrupsionit, me synimin për t’i ndryshuar vizionin Shqipërisë. Megjithatë, segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare e kanë cilësuar këtë përpjekje të qeverisë si luftë kundër individëve të caktuar dhe kundër institucioneve. Cili do të ishte komenti juaj për këtë?

Ridvan Bode: Qeveria shqiptare është duke marrë masa për të forcuar implementimin e ligjit dhe për të dominuar mbi fenomenin e korrupsionit në tërësi, sikurse dhe po duket në mënyrë të qartë tendenca për të goditur fort mbi krimin e organizuar në të gjitha nivelet. Në këtë kuadër, mendoj se nuk ka kurrfarë përpjekjeje për të personalizuar luftën ndaj korrupsionit me individë të veçantë dhe aq më pak, për të justifikuar luftën ndaj këtij fenomeni, dominimin e tij në shoqërinë shqiptare me emra të veçantë. Është e pashmangshme që në përpjekjet për të vendosur ligjin, individët që në mënyrë të qartë dalin të implikuar dhe që kanë bërë shkelje të hapura të ligjit do t’i nënshtrohen procedurave ligjore, hetimit dhe përballjes me drejtësinë. Qeveria është e vendosur për të vazhduar ndjekjen e kësaj linje me konseguencë dhe për të kaluar në procese të gjykimit, në gjykata, të gjitha rastet e evidentuara dhe pavarësisht nga përkatësia partiake, apo koha kur janë kryer këto shkelje të rënda të ligjit, kur janë evidentuar rastet e përdorimit abuziv të pushtetit, trafikimit të influencave të pushtetit në përfitime të paligjshme në segmente të ndryshme të ekonomisë.

Zëri i Amerikës: Zoti ministër, ka patur kritika lidhur me zbatimin e programit të investimeve në Shqipëri. Sa e ka dëmtuar kjo ekonominë dhe çfarë masash po merren për realizimin e këtij programi?

Ridvan Bode: Qoftë në investimet e huaja, por edhe në investimet e brendshme, ka probleme që lidhen me realizimin në kohë të investimeve dhe që kushtëzohen nga një sërë faktorësh lidhur me procedurat e investimeve të huaja që mbeten po ashtu problematike. Ato kanë të bëjnë me vetë vështirësitë e donatorëve dhe me burokracitë që ekzistojnë në një sërë projektesh me ta. Përsa i takon qeverisë, ne jemi duke punuar në mënyrë të përqëndruar për të tejkaluar prapambetjen e trashëguar në këtë sektor, në sektorin e investimeve publike, duke e kapërcyer nga mënyra e përdorimit jo-efikas dhe jo-efiçent e fondeve, duke i copëzuar këto fonde, në një numër shumë të madh projektesh. Ne kemi gjetur 1 mijë e 700 projekte të filluara, ç’ka do të thotë se efiçenca e këtyre fondeve publike në investime nuk është ajo që pritet. Kemi deklaruar përqëndrim të investimeve publike dhe të projekteve madhore dhe që janë në brendësi për ekonominë shqiptare, që japin efekte të menjëhershme dhe që po ashtu lenë gjurmë në infrastrukturën e vendit.

Zëri i Amerikës: Të qëndojmë pak tek investimi më i fundit. Ditët e fundit, qeveria shqiptare nënshkroi nje projekt prej US $1.9 milliardë me firmën ASG për ndërtimin në rajonin e Fierit të një termocentrali dhe një gazsjellësi. A mund të na jepni më shumë hollësi për projektin?

Ridvan Bode: Energjetika në tërësi mbetet një problem. Ka një prapambetje të projekteve energjetike në Shqipëri dhe sektori i energjetikës në përgjithësi është më problematiku aktualisht. Në mënyrë ciklike, Shqipëria ka provuar të futet dhe të dalë nga kriza që shkaktohet thjesht prej mungesës së energjisë elektrike, apo të kapaciteteve energjetike dhe mendoj se projektet e mbështetura nga qeveria shqiptare në këtë sektor, do të mbeten projekte prioritare. Ne kemi një sërë angazhimesh në këtë fushë, që kanë të bëjnë si me reformën në sektorin e energjisë elektrike edhe me sektorin publik, pra të Korporatës Energjetike Shqiptare. Kemi programuar dy masa që do të fillojnë 6-mujorin e dytë dhe që kanë të bëjnë në radhë të parë me liberalizimin e energjisë elektrike dhe së dyti, me avancimin e strategjisë për të privatizuar shpërndarjen e energjisë elektrike, dy objektiva tepër ambiciozë të qeverisë, por të domosdoshme për të krijuar një treg më funksional të energjetikës në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Po në rastin konkret të firmës ASG, cilët do të jenë financuesit në këtë projekt?

Ridvan Bode: Do të kërkojmë donatorë, për ta mbështetur të gjithë projektin, sigurisht që janë bankat e Grupit të Bankës Botërore, mund të jenë edhe donatorë privatë, që mund të integrohen në të njëjtin projekt, por kjo është një çështje që në perspektivë do të qartësohet. Qeveria shqiptare është duke marrë masa imediate për të kapërcyer situatën aktuale dhe pastaj për të hapur mundësitë për të rritur kapacitetet prodhuese në vend dhe për ta futur të gjithë prodhimin e vendit në një rrjet rajonal me vende të tjera të Ballkanit.

Zëri i Amerikës: Po vetë qeveria shqiptare a do të angazhohet në financimin e këtij projekti?

Ridvan Bode: Qeveria shqiptare, përmes Korporatës Energjetike Shqiptare, sigurisht që është angazhuar dhe gjithmonë, të gjithë investimet e këtij sektori janë në kuadrin e Korporatës; por krahas, kësaj, sigurisht që ne jemi të hapur për të nxitur edhe konkurrencë, rivalitet, në tregun shqiptar, me prodhues të tjerë të pavarur, jashtë këtij rrjeti. Mendoj që kuadri ynë ligjor, gradualisht po plotëson standartet për të krijuar kushtet për të liberalizuar tregun dhe për të mundësuar operatorë të tjerë që punojnë në mënyrë të pavarur nga sistemi unik aktual.

Zëri i Amerikës: Dhe çfarë përfitimesh konkrete do të kishte Shqipëria nga ky bashkëpunim?

Ridvan Bode: Rritja e kapaciteve prodhuese, e nivelit të prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike, do të përbënte një përqëndrim dhe një nevojë imediate për Shqipërinë.

XS
SM
MD
LG