Lidhje

Sekretarja e Shtetit Rajs dhe Sekretari i Mbrojtjes Ramsfeld vizitojnë Irakun


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs dhe Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld bënë të mërkurën vizita të panjoftuara në Irak, ku u takuan me të ngarkuarin me formimin e qeverisë, zotin Xhevad al-Maliki.

Më pas, zoti Rumsfeld tha se kishte dalë nga takimi me zotin al-Maliki me përshtypje shumë të mira. Zonja Rajs tha se e kishte shumë të qartë se zoti al-Maliki e kupton rolin e qeverisë së re në krijimin e një uniteti kombëtar.

Zonja Rajs mbërriti në Bagdad nga Turqia, disa orë pas mbërritjes së Sekretarit Ramsfeld. Sekretari i Mbrojtjes u takua me gjeneralë amerikanë dhe udhëheqës irakianë.

Më parë, Gjenerali amerikan Xhorxh Kejsi, duke qendruar pranë Sekretari Ramsfeld në një prej ish-pallateve të Sadam Huseinit, tha se ai ende beson se do të kërkojë shkurtimin e forcave amerikane gjatë këtij viti.

Por gjenerali tha se qeveria e re irakiane duhet të bëjë hapa të tjerë që ai të jetë në gjendje t’i rekomandojë Presidentit Bush një ulje të ndjeshme të trupave. “Krijimi i qeverisë së re përbën një hap tjetër. Hap tjetër i rëndësishëm është përcaktimi i ministrave e më pas fillimi i funksionimit të qeverisë. Kështu gjendja po qartësohet dhe sa më shumë të qartësohet, aq më tepër do të jem në gjendje të parashtroj rekomandimet e mia”, tha Gjeneral Casey. Ai shtoi se kjo varet nga realizimi i etapave të përgjithshme që ai ka caktuar në planet e tij.

Më parë ai tha se shpresonte që këtë pranverë të rekomandonte një ulje të ndjeshme të numrit të trupave. Ai theksoi gjithashtu se procesi i kalimit të përgjegjësisë të sigurimit tek ushtria dhe policia e re irakiane, tashmë ka filluar në disa pjesë të vendit.

Sekretari Rumsfeld ishte më i përmbajtur në komentet e tij në lidhje me numrin e trupave amerikane në Irak në të ardhmen. “Çështja e numrit të trupave amerikane do të varet nga kushtet në terren dhe diskutimet me qeverinë irakiane që me kalimin e kohës do të funsionojë gjithnjë e më mirë”, tha Sekretari Rumsfeld.

Si zakonisht, vizitat e zonjës Rajs dhe Sekretarit Ramsfeld në Irak nuk ishin njoftuar më parë. Zoja Rajs shkoi në Bagdat nga Turqia, ndërsa zoti Rumsfeld nga Uashingtoni. Para nisjes ai u kërkoi ligjvënësve në kongresin amerikan, jo fort të gatshëm, që të miratonin plotësisht fondet për planet e tij për stërvitjen dhe pajisjen e forcave të reja irakiane të sigurimit. //az//

XS
SM
MD
LG