Lidhje

Një grup të rinjsh shqiptarë dhe serbë përpiqet të vendosë ura për të kapërcyer hendeqet e historisë


Në klimën e marrëdhënieve të acaruara mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, një grup të rinjsh ka ndërmarrë detyrën e vështirë për të ndërtuar ura mes tyre, aty ku tradicionalisht ka pasur hendeqe. Përfaqësuesit nga Serbia dhe Kosova të Nismës së të Rinjve, thanë në një diskutim në Institutin e Paqes në Washington se puna e tyre vështirësohet jo vetëm nga rrënjët e thella të armiqësisë mes dy komuniteteve, por edhe nga dëshpërimi që sjell mungesa e mundësive në arsim dhe punësim.

Ende pa folur për idetë e tyre, të rinjtë serbë dhe shqiptarë ulur në një tryezë së bashku përçojnë një mesazh shprese. Megjithë barrën e rëndë të trashëgimisë së urrejtjes, ata i kanë sytë tek e ardhmja dhe thonë se sa më shpejt të lihet pas e shkuara aq më shumë shpresa ka për begatinë e rajonit. Andrej Nosov, thotë se lëvizje si Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, duhet të mbështeten nga qeveritë dhe shoqëria civile dhe se rruga e vetme për brezat e ardhshëm që të mund të jetojnë së bashku në Ballkan është të thonë të vërtetën.

“Ne po përpiqemi të vendosim një komunikim të ri dhe lidhje të reja mes popullit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Ne brezi i ri duket të bashkëpunojmë sepse ne jemi fqinjë, jemi vende fqinjë. Dhe e vetmja mënyrë për të pasur këtë lloj bashkëpunimi është duke respektuar njëri-tjetrin”.

Ai thotë se roli i tij dhe i çdo qytetari serb është që të përballet me trashëgiminë e zymtë të regjimit të Millosheviçit dhe ta kapërcejnë atë. Sara Maliqi, përfaqësuese e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë ashtu si edhe Nosov, sheh si domosdoshmëri krijimin e besimit mes komuniteteve.

“Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që të vendoset besimi mes komuniteteve në dy drejtime: Nga njëra anë mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve nga Serbia, që pak nga pak po realizohet. Ajo që është më e vështirë është që shqiptarët dhe serbët e Kosovës të ulen së bashku në një tryezë dhe për të realizuar këtë ne duket të kapërcejmë të shkuarën”.

Ajo shton se duhet inkurajuar drejtësia, duhet thënë e vërteta dhe se të dyja palët kanë të njëjtin problem.

“Ne mohojmë ato që ndodhën në vitin 1999. Ne themi që serbët e Kosovës po kthehen, por nëse i hedh një sy raporteve të fundit, që nga marsi, vetëm dy ose tre vetë janë kthyer”.

Ivan Stojanoviç, sjell perceptimet e të rinjve serbë për Kosovën, përmes përfundimeve të një sondazhi. Një nga problemet mes të rinjve thotë ai është se nuk kanë njohje elementare për shqiptarët dhe thonë ato që kanë dëgjuar nga prindërit. Megjithë problemet një nga përfundimet e sondazhit është shpresëdhënës.

“Pyetjes nëse ishte më e rëndësishme që Serbia të mbante territorin e Kosovës, apo të anëtarësohej në Bashkimin Evropian, shumica e të rinjve iu përgjigjën: që të anëtarësohej në Bashkimin Evropian”.

Ndërsa të rinjtë serbë shprehën shqetësimin e rritjes së radikalizmit në Beograd që pengon krijimin e marrëdhënieve normale mes popujve, gazetari britanik Tim Judah që ka shkruar gjerësisht për Ballkanin thotë se një prirje e tillë mund të pritet me mospërfillje, gjë që do të ishte e gabuar.

“Rreziku është se nuk do të ishte vetëm izolim për Serbinë, por do të ishte izolim dhe konsolidim i një getoje të Ballkanit, pasi Rumania dhe Bullgaria të anëtarësohen”.

Të rinjve nuk u duhet të përballen vetëm me trashëgimin e urrejtjes tradicionale, por edhe me paaftësinë dhe mungesën e vullnetit të klasës politike dhe institucioneve si në Beograd, edhe në Prishtinë si për të përmirësuar kushtet e jetesës, ashtu edhe për të luftuar stereotipet e krijuara për njëri-tjetrin. Për këtë arsye, ata mendojnë se shpresa për integrim në Bashkimin Evropian dhe investimi i komunitetit ndërkombëtar tek të rinjtë do të ishin dy shtysa të fuqishme për vendosjen e urave të djegura nga plagët e historisë së vjetër dhe të re.

XS
SM
MD
LG