Lidhje

Ukrainë: Përkujtohet 20 vjetori i shpërthimit të Çernobilit


Qindra vetë marshuan sot në orët e para në mëngjesit nëpër rrugët e një qyteti qendror të Ukrainës, me lotë në sy dhe duke mbajtur në duar karafila dhe qirinj, me rastin e 20 vjetorit të aksidentit më të madh bërthamor të botës.

Në orën 1:23 të mëngjesit, sipas orës lokale, u dëgjua uturima e një sirene, pikërisht në kohën kur 20 vjet më parë, më 26 prill të vitit 1986, shpërtheu stacioni bërthamor i Çernobilit.

Presidenti Viktor Jushçenko mori pjesë në një ceremoni që u zhvillua në vendin ku ndodhi aksidenti dhe kujtoi ata që humbën jetën pasi i përpoqën për të ndaluar përhapjen e rrezatimit nga rrënojat.

Po sot, në Kiev, zoti Jushçenko mori pjesë në një shërbesë përkujtimore në një kishë, për nder të punonjësve të shpëtimit që humbën jetën, duke dhënë ndihmën e tyre. Parlamenti i vendit mbajti sot një sesion special me rastin e përvjetorit.

Pasojat e Çernobilit 20 vjet pas fatkeqësisë

20 vjet pas shpërthimit në uzinën bërthmore të Çernobilit në Ukrainë, vendet evropiane vazhdojnë të kenë mendime të ndryshme lidhur me përdorimin e energjisë bërthamore. Disa përqafojnë idenë e energjisë bërthmore, ndërsa të tjerë i kanë nxjerrë jashtë përdorimit uzinat e tyre të vjetra. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant njofton nga Parisi se legjitimiteti i Çernobilit mbetet gjithashtu një çështje tepër problematike në mbarë Evropën:

Fatkeqësia e Çernobilit ndodhi dy dekada më parë, por në Evropë ende vazhdojnë diskutimet mbi numrin e njerëzve që humbën jetën dhe mbi shkatërrimet që shkaktoi ky aksident bërthamor. Shpërthimi në uzinën bërthamore shkaktoi dëme më të mëdha në Ukrainë, si dhe në Bjellorusinë dhe Rusinë fqinjë. Por shpërthimi gjithashtu përhapi re bërthamore në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore.

Një studim i organizuar nga OKB-ja vitin e kaluar arriti në përfundimin se më pak se 50 vetë vdiqën menjëherë pas aksidentit në uzinën bërthamore të Ukrainës dhe 4 mijë të tjerë vdiqën nga kanceri i shkaktuar nga Çernobili. Hetimi i kryer nga 100 shkencëtarë parashikonte se në afat të gjatë, numri i të vdekurve për shkak të rrezatimit afatgjatë mund të kapë shifrën e 9 mijë vetëve. Një numër ekspertësh e mbështesin studimin e OKB-së. Mes tyre është edhe Andre Aurengo, Shef i Katedrës të Mjekësisë Bërthamore në spitalin La Pitie-Salpetriere në Francë.

Aurengo tha në një intervistë për radion franceze se numri i rasteve të kancerit dhe problemeve gjenetike në zonat ku u ndjenë pasojat e Çernobilit nuk ishte shumë më i lartë se në zonat e tjera, por shtoi, ai plagët psikologjike të tij mund të kenë shkaktuar probleme shëndetësore.

Por një studim i ri i Partisë së Gjelbër në Parlamentin Evropian arrin në përfundimin se Çernobili pati pasoja më shkatërrimtare nga sa mendohet. Sipas këtij raporti, numri i vdekjeve ishte rreth 15 herë më i lartë nga sa thuhet në studimin e OKB-së. Ndërsa një studim i kohëve të fundit i grupit ambjentalist Greenpeace vlerëson se numri i vdekjeve nga kanceri i shkaktuar nga Çernobili ishte edhe më i lartë.

Doktor Mariller thotë se përveç vdekjeve, një numër i madh njerëzish kanë patur probleme me sistemin e tretjes, atë të frymëmarrjes, si dhe probleme kardiovaskulare, për shkak të problemeve të shkaktuara nga Çernobili.

Ai thotë se raporti i OKB-së e nënvlerësoi numrin e vdekjeve, pjesërisht për arsye politike. Ky studim u organizua nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore në Vienë, për të cilën kritikët thonë se ka interes në nxitjen e energjisë bërthamore.

Por, megjithë debatet e shkaktuara nga Çernobili, një numër vendesh evropiane vazhdojnë të prodhojnë energji bërthamore. Franca është një prej tyre, ku rreth 80 për qind e energjisë elektrike të vendit prodhohet nga 58 uzina bërthamore dhe tani ky vend po shqyrton ndërtimin e një uzine të 59-të. Edhe Finlanda e Polonia po ndërtojnë statcione bërthamore. Qeveria britanike, ndërkohë, do të fillojë këtë vit një debat për energjinë, rezultati i të cilit mund të jetë ndërtimi i një uzine të re bërthamore, ndërsa Lituania e Holanda e kanë shtyrë nxjerrjen jashtë përdorimit të gjeneratorëve të tyre bërthmorë.

Me rritjen e çmimeve të naftës, energjia bërthamore po duket përherë e më tërheqëse ekonomikisht. Po ashtu, një faktor është edhe ambjenti. Uzinat bërthamore nuk çlirojnë dyoksid karboni, për të cilin shumica e shkencëtarëve thonë se është shkaku kryesor i ngrohjes globale.

Sipas protokollit të Kiottos, vendet evropiane duhet të pakësojnë në mënyrë të konsiderueshme çlirimin e dyoksidit të karbonit. Goulven Graillat është drejtor i strategjisë ekonomike dhe industriale në kompaninë elektrike EDF, që drejton uzinat bërthmore të vendit.

"...Mendoj se një numër përherë e më i madh njerëzish, kur mendojnë thellë për faktorët e ndryshëm, për Protokollin e Kiotos dhe efektin serë, për çmimin e lëndëve djegëse fosile: qymyrit, por kryesisht për naftën dhe për gazin, fillonjë të mendojnë se duhet drejtuar vëmendja nga energjia bërthmore." - thote ai.

Por jo të gjithe vendet evropiane po e përqafojnë idenë e përdorimit të energjisë bërthmore. Suedia dhe Gjermania e kanë ndaluar ndërtimin e uzinave të reja bërthmore dhe në një masë të gjerë, i kanë nxjerrë jashtë përdorimit uzinat ekzistuese megjithëse socialdemokratët, që janë në pushtet në Gjermani, kanë sugjeruar se mund të përpiqen për ta ndryshuar vendimin për ndalimin e uzinave bërthamore.

Vende të tjera gjithashtu, e shohin me dyshim energjinë bërthmore. 20 vjet pas Çernobilit, kritikët bërthamorë si Marillier i grupit Greenpeace, thonë se energjia bërthamore vazhdon të jetë jo e sigurtë.

Marillier thotë se ekspertët dikur thonin se rreziku i një aksidenti bërthmor thuajse nuk ekzistonte. Por ata mendonin kështu para se të ndodhte Çernobili. Sot, thekson ai, vazhdon të mbetet rreziku për një tjetër shpërthim. Dhe ai është i mendimit se pikërisht frika është një arsye përse energjia bërthamore do të vazhdojë të jetë problematike në Evropë.//lk

XS
SM
MD
LG