Lidhje

Ka kryer apo nuk ka kryer CIA fluturime mbi Evropë?


Komisioni hetimor i Parlamentit Evropian thotë se CIA ka kryer mbi 1 mijë fluturime të paautorizuara mbi territorin e Evropës gjatë 5 viteve të kaluara. Përmes tyre mendohet se CIA ka transferuar nga një vend në tjetrin të dyshuar për terrorizëm. Por jo të gjithë ligjvënësit evropianë janë të bindur se këto fluturime kanë ndodhur.

Akuzat e fundit, janë pjesë e raportit të parë të përkohëshëm mbi aktivitetet e CIA-s, të publikuar nga komisioni i posaçëm hetimor i Parlamentit Evropian. Ligjvënësi italian Xhovani Klaudio Fava , një prej autorëve të raportit, thotë se fluturimet kanë shkelur ligjet ndërkombëtare. Ka të dhëna thotë ai, që fluturimet kanë përfshirë edhe vende që njihen për përdorimin e torturave. Zoti Fava e akuzon CIA-n për rrëmbime dhe arrestime të paligjshme të personave të dyshuar për terrorizëm në vendet evropiane. Shtetet e Bashkuara kanë mohuar se kanë transportuar të dyshuar ilegalisht dhe shtojnë se torturimi i të burgosurve është në kundështim me ligjet amerikane.

Parlamenti Evropian nuk është organi i vetëm që po heton. Në fillim të vitit një hetues i posaçëm i Këshillit të Evropës, po ashtu tha se duket se CIA ka transferuar të ndaluar për në vende të treta duke shtuar se në se kjo është e vërtetë, atëhere disa vende evropiane duhet të kenë qënë në dijeni të tyre. Dy hetimet pasojnë njoftimet e shtypit se CIA, kishte kryer fluturime sekrete dhe mbante të dyshuar të Al Kaidës në burgje të fshehta në vendet e Evropës Lindore. Por as Parlamenti Evropian dhe as Këshilli i Evropës, nuk kanë dhënë prova përfundimtare se fluturimet e të burgosurve kanë ekzistuar.

Dhe disa ligjvenës si britaniku Charles Tannock, anëtar i komisionit hetimor, shprehin dyshime. “Nuk besoj se ky komision hetimor do të nxjerrë ndonjëherë të dhëna të rëndësishme që nuk është aktualisht publike. Unë nuk besoj se do të gjejmë të dhëna për të provuar se amerikanët qëllimisht, kanë dërguar persona në vende të treta për t’u torturuar”.

Parlamenti Evropian ka në plan të dërgojë një delegacion këtë javë në Maqedoni për të vazhduar hetimet. Dhe një grup tjetër ligjvënësish pritet të vijnë në Uashington muajin e ardhshëm me shpresë për t’u takuar me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs dhe drejtorin e CIA-s, Porter Gos.

XS
SM
MD
LG