Lidhje

Policia shqiptare arreston tre të kërkuar të botës së krimit


Në Shqipëri policia arrestoi sot tre eksponentë të botës së krimit dhe trafikut të drogës. Arrestimi është bërë në orët e para të mëngjesit ku janë vënë në pranga Gëzim Salillari, Ilir Sukaj dhe Artur Vaqo. Për të tre që në shkurt të vitit 2001 autoritetet e Drejtësisë italiane kishin dhënë urdhërin e arrestit si pjestar të një klani të fuqishëm mafioz i shtrirë dhe në Gjermani.

Kreu i klanit konsiderohej Vaqo, ndërsa në Shqipëri emri më i njohur është i Salillarit ose siç quhej ndryshe Gëzimi i Kashtës, pronar i një lokali në zonën e residencave qeveritare në Durrës.

Aldo Bare, Lulëzim Berisha apo dhe Gëzimi i Kashtës kanë qenë prej vitesh eksponentë të njohur, edhe publikisht, për aferat e tyre ilegale, por praktikisht konsideroheshin si gati të paprekshëm. Arrestimet e tyre brenda një kohe të shkurtër vlerësohen si suksese të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

Goditja e fundit, në orët e para të mëngjesit të sotëm në Durrës, vunë nën pranga së bashku me Gëzim Salillarin edhe dy personazhe të tjerë të botës së krimit, Ilir Sukaj, dhe Artur Vaqo, ky i fundit i njohur ndryshe si Turi Labi, lëvizte me identitet të rremë nën emrin Bujar Bitri. Që të tre akuzohen për trafik ndërkombëtar droge, pjesmarrje në organizatat kriminale por dhe për trafik të mjeteve motorrike dhe armëmbajtje pa leje. Emrat e tyre janë të njohur prej vitesh nga drejtësia italiane. Ato madje u bënë publik dhe në shtypin Italian të kohës pas një operacioni të antimafies që goditi klanin shqiptar që vepronte në trafikun e drogës duke mbajtur lidhje e veprimtari dhe në landin e Bavarisë në Gjermani.

Të paktën 27 persona, shqiptarë dhe italianë u arrestuan në mars të 2001, ndërkohë që tre të arrestuarit e sotëm i shpëtuan operacionit të antimafies së Barit. Sipas autoriteteve italiane Artur Vaqo vlerësohet të ketë qenë kreu i padiskutueshëm i grupit, ndërsa Gëzim Salillari mbulonte shpërndarjen e heroinës në zonën e Campanias.

Salillari u bë i njohur në publik me nofkën e Gëzimit të Kashtës, nga debatat e shpërthyera mes socialistëve vite më parë, kur ish kryeministri Fatos Nano sulmoi rivalët e tij brenda partisë të grupit të Ilir Metës se frekuentonin lokalin e Salillarit. Lokal i cili është marrë me qera në zemër të zonën residenciale qeveritare në Durrës e që është frekuentuar në vite nga shumë politikanë të lartë.

Të tre të arrestuarit e sotëm ishin pjesë e një grupi rival me atë të Lulëzim Berishës, i prangosur pak kohë më parë në Maqedoni. Arrestimet e sotme dëshmuan edhe konfliktin aktual me Prokurorinë. Në deklarimin publik të ministrisë së Brendshme thuhej se praktikat për të paktën dy nga të arrestuarit kanë qenë në prokurorinë e Përgjithshme që në vitin 2002.

Ndërkohë burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda shpjeguan se bëhet fjalë për kërkesa për ekstradim nga interpoli të cilat sipas tyre nuk mund të ekzekutohen për shkak se legjislacioni shqiptar nuk e parashikon. Zyrtarë të prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se ata kanë regjistruar procedimin dhe tashmë janë në pritje të materialeve nga Italia. //rd//

XS
SM
MD
LG