Lidhje

Presidentët e Ballkanit perëndimor u takuan në Shqipëri


Presidentët e vendeve të Ballkanit perëndimor zhvilluan të premten në Durrës një takim joformal në përpjekje për të rritur miqësinë dhe bashkëpunimin mes tyre në rajon. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, si organizator i takimit, zgjodhi bregdetin e Durrësit, portin më të madh të vendit, për të pritur kolegët e tij të rajonit; presidentin maqedonas Branko Cervenkovski, presidentin malazez Filip Vujanoviç, presidentin kroat Stipe Mesiç, presidentin serb Boris Tadiç, presidentin rumun Trajan Basesku, dhe atë bullgar George Parvanov. Ndërsa mungoi presidenti boshnjak Sulejman Tihiç.

Gjatë bisedimeve dypalëshe dhe shumëpalëshe, të shtatë presidentët diskutuan mbi mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimeve tregtare dhe turizmit. Integrimi euro-atlantik i vendeve të rajonit ishte po ashtu temë kryesore e takimit, krahas shkëmbimit të pikëpamjeve mbi zhvillimet e fundit në rajon.

Presidenti shqiptar, Moisiu, tha gjatë takimit se Shqipëria është e inkurajuar nga fakti që në bisedimet për statusin e Kosovës janë përfshirë Prishtina, Beogradi dhe faktori ndërkombëtar. Ai theksoi se "Kosova e pavarur, demokratike, paqësore me fqinjët dhe repektuese e të drejtave të pakicave, do të jetë një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit". Zoti Moisiu tha se "e ardhmja e Ballkanit është integrimi në Bashkimin e Europian", ndaj edhe shpresonte që "marrëdhëniet shqiptaro-serbe do ta kapërcejnë trashëgiminë e hidhur të së kaluarës në emër të një të ardhmeje më të mirë për rajonin".

Ndërsa presidenti serb Boris Tadiç përsëriti qëndrimin se Serbia është kundër ndryshimit të kufijve në rajon, është kundër idesë për pavarësi të Kosovës apo ndarjen e Malit të Zi, megjithatë është përfshirë në negociatat e hapura për statusin e ardhshëm të Kosovës.

Politikanët e lartë pohuan se takimi i Durrësit është shenjë e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit midis vendeve të rajonit, tregues i vullnetit dhe angazhimit të përbashkët për të ecur në rrugën e integrimit drejt Europës së Bashkuar. //rd//

XS
SM
MD
LG