Lidhje

Vritet udhëheqësi i forcave të al-Kaidës në Samarra


Një udhëheqës vendor i al-Kaidës në Irak është vrarë nga forcat e koalicionit. Zyrtarët amerikanë dhe irakianë thanë se Hamid al-Takhi dhe dy ekstremistë të tjerë u vranë sot gjatë një sulmi në afërsi të qytetit të Samarrës.

Al-Takhi besohet të ishte udhëheqësi i forcave të al-Kaidës në Samarra dhe përreth. Ushtria amerikane tha se trupat irakiane më pas gjetën një makinë të mbushur me granada, raketa dhe armë të vogla. Autoritetet ushtarake amerikane thonë se trupat irakiane vranë 21 kryengritës dhe kapën 43 të tjerë në përgjigje të një seri sulmesh kundër postblloqeve policore dhe ushtarake në pjesën verilindore të Bagdatit.

Në një deklaratë të ushtrisë thuhej sot se 7 ushtarë irakianë dhe 2 civilë u vranë gjithashtu gjatë luftimeve në rajonin e Bakubës në provincën Dijala. U plagosën gjithashtu 8 ushtarë dhe 4 policë. Luftimet filluan dje vonë kur më shumë se 100 ekstremistë të armatosur rëndë sulmuan një stacion policie, pesë pika sigurimi dhe një seli të ushtrisë irakiane në zonë. Në një incident tjetër, një ushtar amerikan humbi jetën dje nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës në veri të Bagdatit.

Në frontin politik, kryeministri i ardhshëm i Irakut, Nuri al-Maliki, me sa duket ka fituar mbështetjen e klerikut më të lartë shiitë të vendit në përpjekje për eliminimin e milicive të vendit. Zoti Maliki u takua dje në Naxhaf me Ajatollahun e Madh Ali al-Sistani, i cili bëri thirrje për shpërndarjen e të gjitha milicive. Ajatollah al-Sistani tha se armët duhet të jenë vetëm në duart e forcave qeveritare të sigurimit. Zoti al-Maliki, i cili ka afat deri më 21 maj për të emruar kabinetin e tij, tha se po punon për formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar, që do të përfshijë të gjitha grupet fetare dhe etnike të Irakut. //rd//

XS
SM
MD
LG