Lidhje

Përplasje të reja mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe qeverisë shqiptare


Në Shqipëri arrestimet e djeshme të tre personave të konsideruar eksponentë të botës së krimit dhe trafikut ndërkombëtar të drogës ka sjellë përpalsje të reja mes Prokuorisë së Përgjthshme dhe qeverisë. Dje Prokuori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku deklaroi se nuk ka një urdhër arresti por vetëm kërkesë për ekstradim për të ndaluarit e djeshëm nga policia. Ndërsa sot Ministria e Drejtësisë ka akuzuar prokurorinë e Përgjithshme se në janar të këtij viti ka refuzuar aktet e drejtësisë italiane që i janë dërguar pas kërkesave të bëra nga prokuroria e Durrësit, një deklarim që më pas Prokuroria e Përgjithshme e ka konsideruar si tërësisht të pavërtetë dhe një mashtrim të radhës.

Një lëmsh i vërtetë procedurialo-juridik duket është krijuar rreth prangosjes së djeshme në Durrës të Artur Vaqos, Ilir Sukajt dhe Gëzim Salillarit, tre persona të kërkuar nga drejtësia italiane për trafik droge që prej vitit 2001. Kjo çështje ka nxitur dhe përplasje të reja mes Prokurorisë dhe qeverisë, të ndodhura tashmë në një konflikt të hapur mes tyre që pritet të finalizohet me ngritjen e komisionit hetimor ndaj kryeprokurorit Sollaku.

Shenjat e para u dhanë që dje kur në deklarimet e Ministrisë së Brendshme theksohej se për të paktën dy nga personat, të cilat ministria i konsideron të ndaluar dhe jo të arrestuar, kanë ekzistuar praktikat në prokurorinë e Përgjithshme që në vitin 2002. Por mbrëmë Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku tha se policia nuk kishte cuar ende në prokurori letrat dhe se nuk kishte një urdhër arresti, por se gjithshka është bërë në ekzekutim të një kërkese për ekstradim.

Sipas kryeprokurorit kushtetuta shqiptare nuk parashikon ekstradimin, por se prokuroria ka regjistruar procedimin penal dhe është në pritje të dokumentacionit nga Italia. Por sot nga ana e saj Ministria e Drejtësisë njoftoi se dokumentacioni i ardhur nga Italia pas kërkesës së prokurorisë së Durrësit, i është dërguar Prokurorisë së Përgjithshme në 31 janar të vitit 2006.

Ministria akuzon se Prokuroria e Përgjithshme nuk i ka pranuar këto akte dhe i ka kthyer ato pas. Ky deklarim është konsideruar nga Prokuroria si i pavërtetë dhe një mashtrim i radhës duke akuzuar zyrën e Ministrit Bumçi si profesionalisht të çoroditur e të padisiplinuar si dhe politikisht të motivuar e keqdashës. Prokuroria ka shpërndare kopjen e një përgjigje që Ministri Bumçi i kthente kërkesës së prorkurisë më datë 9 mars për dosjet e personave të arrestuar dje. Në përgjigje e cila daton 4 prill të këtij viti shkruhet se ministria i ka rikujtuar autoritetet e huaja për kërkesën dhe se përgjigja e ardhur do t’i përcillet pa vonese Prokurorisë.

Një përgjigje që le të kuptohet se aktet nuk kishin mbërritur ende në ministrinë e Drejtësisë Emrat e tre personave të prangosur dje njihen nga Drejtësia italiane që prej vitit 2001 ku ata i shpëtuan arrestimit gjatë një operacioni të antimafies italiane në Bari kundër një rrjeti shqiptaro italian të trafikut të Drogës. Për Artur Vaqon dhe Ilir Sukjan, pak ditë më parë prokuroria italiane ka kërkuar për të dy 38 vjet burg gjatë një procesi gjyqësor që po zhvillohet në Itali. Ndërsa burime të tjera shprehen se Gëzim Salillari, ose sic njihet ndryshe Gëzimi i Kashtës, është dënuar nga gjykata e shkallës së parë dhe cështja tashmë është në Apel. //rd//

XS
SM
MD
LG