Lidhje

Çmimet e benzinës shtojnë pasagjerët e transportit publik


Kompanitë e autobusëve në Shtetet e Bashkuara thonë se numri i njerëzve që udhëtojnë me to është shtuar për shkak se çmimi i lartë i benzinës po detyron shumë amerikanë që të mos i përdorin aq shumë makinat e tyre personale. Çmimet e larta të benzinës po bëjnë gjithashtu që kompanitë e transportit masiv të kërkojnë burime alternativë energjie dhe teknologji të reja.

Në Washington DC, stacionet e metrosë kanë tani më shumë njerëz se zakonisht. Me rritjen e çmimeve të benzinës në nivele rekord, disa amerikanë thonë se po e përdorin më pak makinën. "Çmimet janë skandaloze dhe natyrisht më kanë bërë ta përdor më pak makinën", thonë konsumatorët. Kudo në Shtetet e Bashkuara, kompanitë e transportit masiv thonë se numri i udhëtarëve është rritur deri në 20 përqind në disa shtete.

Jack Requa, shef i autoritetit të transportit masiv në Uashington thotë se është ende herët të thuhet nëse ky shtim ka ardhur nga rritja e çmimeve të benzinës por ai pohon se çmimet e naftës, që kanë arritur në mbi 71 dollarë për fuçi, po ndikojnë tek të gjithë. "Nëse çmimi arrin 70 dollarë, ai mund të shkojë edhe 80. Kostoja është shumë e lartë dhe vazhdon të rritet. Mendoj se njerëzit duhet të kërkojnë për alternativa, jo vetëm përsa u përket karburanteve por edhe mënyrave të transportit." Kjo është njëra prej arësyeve se përse sistemi i transportit masiv të Uashingtonit ka filluar të eksperimentojë autobusët e rij të tipit hibrid. Këta autobusë punojnë me energji elektrike dhe me naftë dhe kushtojnë rreth 200,000 dollarë më tepër por janë më ekonomikë dhe krijojnë shumë më pak ndotje se sa të zakonshmit. "Vërtet që kushtojnë më shumë por ne jemi të vendosur të ulim ndotjen dhe koston e karburantit. Kjo ul edhe varësinë tek nafta e huaj dhe mendoj se është teknologjia më e përshtatëshme për ta arritur këtë. Sistemi i transportit të Washingtonit ka blerë 50 autobusë të rinj hibridë të cilët disa specialistë i quajnë "plumbi prej argjendi".

Rudy Gardner thotë se ky lloj autobusi është bërë shumë i pëlqyer nga udhëtarët e tij: "Nëse ndonjë ditë nuk përdor këtë autobus, udhëtarët më pyesin se ç’u bë me autobusin e tyre." Autoriteti i transportit masiv i Uashingtonit, i cili qysh para disa vitesh e ka konvertuar një të tretën e autobusëve të tij për t’i bërë të punojnë me gaz natyror të prodhuar në vend, thotë se do të blejë 50 autobusë të tjerë hibridë nëse ata vërtet janë aq ekonomikë sa ç’pretendojnë kompanitë që i prodhojnë. Sot për sot, në 25 qytete amerikane përdoren autobusë hibridë.

Ekspertët thonë se kjo është vetën njëra prej teknologjive të reja e cila mund ta zbutë atë që Presidenti Bush e ka quajtur varësi të Amerikës te nafta. Aktualisht, vetëm 6 përqind e amerikanëve përdorin transportin masiv por disa ekonomistë thonë se kjo shifër do të shtohet nëse çmimet e benzinës vazhdojnë të rriten. //rd//

XS
SM
MD
LG