Lidhje

Presidenti Bush përshëndet përparimin në Irak dhe paralajmëron për vazhdimin e dhunës


Presidenti Bush thotë se krijimi i një qeverie të re në Irak u ka dhënë një goditje të fuqishme terroristëve. Kundërshtarët politikë të Presidentit e shfrytëzuan fjalimin e tyre radiofonik të javës për të fajësuar republikanët për rritjen e çmimeve të benzinës

Presidenti Bush thotë se qeveria e re e Irakut është një ngjarje e shënuar në rrugën drejt demokracisë. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, ai tha se terroristët po kryejnë akte të dëshpëruara dhune, sepse e dinë që demokracia në Irak nuk do të ketë vend për ta. “Shihet qartë se terroristët e kuptojnë kërcënimin që përbën një qeveri e re për planet e tyre të errëta për Irakun e më gjerë në Lindjen e Mesme. Këtë javë, terroristi al-Zarqawi, udhëheqës i al-Qaidës në Irak, publikoi një video, ku denoncon qeverinë e re dhe premtoi për sulme të tjera terroriste”. Presidenti Bush thotë se udhëheqësit e rinj të Irakut po tregojnë kurajo të madhe përballë kërëcnimeve të terroristëve dhe janë të vendosur të udhëheqin vendin drejt një të ardhmeje paqësore. Ai thotë se këta udhëheqës të guximshëm meritojnë mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës dhe trupat amerikane do t’i ndihmojnë ata të marrin në dorë përgjegjësi më të mëdha përsa i përket sigurimit kombëtar në Irak.

Sa më shumë që Iraku përparon drejt një regjimi demokratik që të vetëqeveriset, të vetëmbrohet dhe të qendrojë pa ndihmën e të tjerëve, aq më shumë trupa amerikane mund të kthehen në atdhe, tha Presidenti Bush.

Formimi i një qeverie të unitetit kombëtar në Irak është lajm i mirëpritur për Presidentin Bush në një kohë kur mbështetja e publikut amerikan lidhur me përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në Irak vazhdon të bjerë. Një anketë e gazetës USA Today dhe e organizatës së sondazheve Gallup tregon se 65 për qind e amerikanëve nuk janë dakord me mënyrën se si Presidenti Bush po e trajton gjendjen në Irak. 57 për qind besojnë tani se pushtimi i Irakut para tre vjetësh ishte gabim.

I etur për të parë shenja përparimi, Presidenti Bush shprehet se të ndihmosh Irakun për ndërtimin e një demokracie do të thotë t’u japësh terroristëve një goditje dërmuese. Por lufta, thotë ai, nuk ka përfunduar ende. “Na presin luftime të tjera të ashpra në Irak dhe ditë të tjera sakrificash e përpjekjesh të mëdha. Megjithatë armiqtë e lirisë kanë pësuar një goditje të rëndë ditët e fundit dhe ne kemi bërë hapa të mëdhenj drejt fitores”. Në fjalimin radiofonik të demokratëve republikanët në pushtet kritikohen për shkurtimin e taksave për kompanitë naftës në një kohë fitimesh rekord për to dhe kur çmimet e benzinës kanë arritur nivele tepër të larta.

Ligjvënësi nga Miçigani, Bart Stupak, thotë se republikanët po i mbyllin sytë ndaj veprimtarisë së industrisë së naftës, ndërkohë që konsumatorët po përballen me çmime të larta të benzinës. “Nga kongresi i kontrolluar nga republikanët ne dëgjojmë të njëjtin avaz: të fillojmë shpimet në vend për ta shpëtuar Amerikën nga varësia e huaj, të sakrifikojmë mjedisin dhe të shkurtojmë taksat për kompanitë e naftës”. Stupak thotë se demokratët duan që të rivendosen taksat me vlerë prej 10 miliardë dollarësh për kompanitë e naftës që të ndihmohen amerikanët me të ardhura të pakëta dhe bizneset e vogla dhe që fermerët të mund të paguajnë faturat e energjisë.

Presidenti Bush po i kërkon Kongresit t’u falë kompanive të naftës 2 miliardë dollarë dhe po u bën thirrje këtyre kompanive që vullnetarisht të investojnë një pjesë të fitimeve të tyre rekord për teknologji të reja, për shpime e studime të tjera dhe për të shtuar kapacitetin e rafinerive të naftës.

Një anketë e fundit e gazetës Washington Post dhe e rrjetit televiziv ABC del në përfundimin se 70 për qind e amerikanëve përgjigjen se çmimet e rritura të benzinës po u shkaktojnë vështirësi financiare.

Sipas sondazhit, shumica fajësojnë Presidentin Bush: 74 për qind e të pyeturve nuk janë dakord me mënyrën si po e trajton ai çështjen e çmimeve të larta të benzinës.

Demokratët shpresojnë të shtojnë numrin e vendeve në Kongres përmes zgjedhjeve të nëntorit duke shfrytëzuar pakënaqësitë e votuesve për çmimet e energjisë. //rd//

XS
SM
MD
LG