Lidhje

Kolin Pauell thotë se kishte sugjeruar dërgimin e më tepër trupave në Irak


Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauell, thotë se e kishte këshilluar Presidentin Bush për të dërguar më tepër trupa në Irak, para se të fillonte ndërhyrja ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë për televizionin britanik ITV-1, zoti Pauell tha se ia kishte dhënë këtë këshillë gjeneralit Tomy Franks, tani në pension dhe që hartoi planin e ndërhyrjes në Irak, si dhe Sekretarit të mbrojtjes Donald Rumsfeld dhe Presidentit Bush.

Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rice tha se Presidenti Bush i kishte marrë parasysh këshillat e ndihmësve dhe të komandatëve ushtarakë para se të miratohej plani i ndërhyrjes. Ajo i tha rrjetit televiziv CBS se shtatmadhoria e kishte siguruar presidentin që numri i trupave për të realizuar ndërhyrjen ishte i mjaftueshëm. Zonja Rice shtoi se po ta mendosh nga këndvështrimi i tanishëm ka shumë gjëra që mund të ishin bërë më mirë për të ndalur dhunën pas rënies së regjimit të Sadam Huseinit.//lk

XS
SM
MD
LG