Lidhje

Sekretarja Rajs e akuzon Iranin se po “luan lojëra” lidhur me programin bërthamor


Sekretarja amerikane e shtetit Kondoliza Rajs akuzon Iranin se po “luan lojëra” në mosmarrëveshjet me komunitetin ndërkombëtar për programin e tij bërthamor.

Zonja Rajs i bëri komentet sot në televizionin amerikan. Ajo tha se Teherani duhet të ndalë të gjitha veprimtaritë për pasurimin e uraniumit, siç është kërkuar nga Këshilli i Sigurimit. Ajo i bëri gjithashtu thirrje Iranit të tregohet i sinqertë dhe t’u përgjigjet një sërë shqetësimesh ndërkombëtare rreth programit të tij bërthamor.

Në Teheran, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtëme tha se Irani dëshiron ta zgjidhë krizën bërthamore me negociata. Por ai shtoi se kërkesat perëndimore që Teherani të pezullojë pasurimin e uraniumit nuk janë më në planet e Iranit. Zëdhënësi tha gjithashtu se Irani është i gatshëm për bisedime të reja me Bashkimin Evropian nëse diplomatët perëndimorë u japin fund kërcënimeve për të vendosur sanksione.

Irani kërcënon për masa radikale nëse Këshilli i Sigurimit vendos sanksione ndaj tij

Irani po i vazhdon përpjekjet për shmangien e masave nga ana e bashkësisë ndërkombëtare mbi programin e tij bërthamor, duke kombinuar premtimet për bashkëpunim me zotimet se nuk do të tërhiqet kurrë nga ambiciet e veta. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Hamid Riza Asefi, u tha gazetarëve se Irani është i hapur për dialog, por tha se vendosja e sanksioneve do të provokonte një përgjigje të ashpër.

“Nëse Këshilli i Sigurimit i OKBs- e diskuton çështjen e Iranit dhe merr vendim kundër nesh, ne do të mbajmë të hapura të gjitha alternativat, tha zëdhënësi. Kjo do të thotë se nëse vendimi i tyre do të jetë radikal, reagimi i Iranit do të jetë radikal; nëse do të jetë i arësyeshëm, atëherë, vendimet tona do të jenë të arsyeshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Energjinë Bërthamore raportoi dje para Këshillit të Sigurimit se Irani nuk ka përmbushur kërkesat e Këshillit të Sigurimit për ndalimin e programit të tij të pasurimit të materialeve bërthamore. Irani thotë se ka arritur të pasurojë uranium në cilësinë e duhur për centralet elektrike bërthamore dhe ngul këmbë që ky proces është i pakthyeshëm.

Teherani thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet ta trajtojë Iranin si një fuqi bërthamore. Vendet perëndimore besojnë se Teherani mund të jetë duke punuar për prodhimin e një bombe bërthamore. Udhëheqësit iranianë e kanë mohuar këtë pretendim dhe thonë se ambiciet e tyre bërthamore janë paqësore. Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania duan që Këshilli i Sigurimit t’i kërkojë zyrtarisht Iranit të pezullojë veprimtaritë për pasurimin e lëndëve radioaktive.

Një vendim i tillë do të përgatiste terrenin për sanksione, nëse Irani vazhdon të mos përmbushë kërkesat. Por dy vende të tjera me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, Rusia dhe Kina, janë për vazhdimin e përpjekjeve diplomatike. Irani ka bërë disa përpjekje që çështja e tij t’i kthehet Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Sot Irani tha se është gati ta lejojë agjencinë të rifillojë inspektime pa paralajmërim, në uzinat e tij bërthamore.

“Në se agjencia dhe Këshilli i Sigurimit angazhohen ta trajtojnë këtë çështje vetëm përmes kësaj agjencie, Teherani është i gatshëm për bashkëpunim maksimal”.

Duke folur në Pakistan, Zëvendës-ministri iranian i Naftës tha se dyshon që Këshilli i Sigurimit të vendosë sanksione ndaj Iranit, sepse kjo do të rriste çmimet e naftës. Irani zotëron 10 për qind të rezervave të njohura të naftës në botë dhe është prodhuesi i dytë në Organizatën e Vendeve Exportuese të Naftës – OPEC.

Ministrat e jashtëm të pesë vendeve të Këshillit të Sigurimit plus Gjermania kanë në plan të takohen brenda javës së ardhshme në New York për të diskutuar mbi një vendim të ardhshëm për Iranin.//lk

XS
SM
MD
LG