Lidhje

Prof. Fisher: Përmirësimi i gjendjes ekonomike për shqiptarët dhe për serbët do të ndikonte në vendosjen e harmonisë mes tyre


Prof. Bernd Fisher thotë se po bashkëpunon për një përmbledhje shkrimesh historike që synon të hedhë poshtë mitet negative që janë krijuar për Kosovën. Ai tha gjithashtu se problemet politike në Shqipëri do të zgjidhen kur të vijë një brez i ri politikanësh:

Zëri i Amerikës: Profesor Fischer, ju së bashku me studiues të tjerë po punoni për një libër të ri që ka të bëjë me historinë e Kosovës, i cili pritet të dalë në qarkullim së shpejti. A mund të na thoni diçka për këtë libër?

Prof. Bernd Fischer: Libri titullohet “Argumenti për Kosovën”, një përmbledhje e redaktuar nga Dr. Anna di Lellio që ka një përvojë të jashtëzakonshme për Kosovën. Ajo ka qenë komisionere për median në administratën e Kombeve të Bashkuara dhe tani është këshilltare e kryeministrit për median. Libri pritet të dalë në qarkullim në qershor. Ideja ishte që të përpiqeshim të hidhnim poshtë disa mite shumë të përhapura për Kosovën, që mendoj se në një farë mase bëhen pengesë për mbështetjen e pavarësisë. Shumë nga këto mite kanë të bëjnë me historinë e Kosovës. Për shembull kapitulli që kam shkruar unë ka të bëjë me Kosovën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shumë analistë të Ballkanit, kryesisht ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës, thonë se kosovarëve u mungon e drejta morale që të bëhen pjesë e Evropës pasi kosovarët sipas tyre ishin në favor të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Argumenti im është që megjithëse kishte një farë bashkëpunimi nga ana e udhëheqjes kosovare gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai nuk kishte të bënte me ndonjë simpati për idetë naziste, ose për synimet e Gjermanisë në Evropë dhe në botë, por me konceptin e nacionalizmit të Kosovës, me idenë që gjermanët kishin mposhtur serbët që i kishin shtypur kosovarët që kur u krijua Jugosllavia, madje edhe më parë që nga viti 1912. Libri është pro-aktiv në favor të pavarësisë së Kosovës, por është objektiv përsa u takon fakteve historike.

Zëri i Amerikës: Viti 2006 është një vit i rëndësishëm dhe duket se statusi përfundimtar do të vendoset këtë vit. Mendoni se do të arrihet një status që të jetë i pranueshëm nga të dyja palët?

Prof. Bernd Fischer: Është e qartë se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç pavarësisë së plotë dhe mendoj se pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar po bindet për një gjë të tillë. Ka vende që nuk e pranojnë këtë ide, por nuk mendoj se duhet të vazhdojmë të flasim për mundësinë e një kompromisi. Serbët e kuptojnë që nuk do të marrin ndonjë pjesë të Kosovës dhe nuk do të luajnë ndonjë rol të konsiderueshëm përsa i takon Kosovës, pavarësisht se udhëheqja serbe nuk e pranon një gjë të tillë publikisht, pasi do të ishte vetëvrasje politike. Por besoj se edhe publiku serb po e pranon gjithnjë e më shumë se është pothuajse e pamundur që të pengohet pavarësia e plotë dhe tërësia territoriale e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Nga pozitat e historianit, a mendoni se ka shpresa që shqiptarët e Kosovës dhe serbët në rajonin e Ballkanit të mund të bashkëekzistojnë dhe bashkëjetojnë në harmoni në të ardhmen?

Prof. Bernd Fischer: Po, mendoj se po. Problemet që shohim sot nuk janë aq të vjetra sa ç’thuhet shpesh. Sigurisht shumë analistë që studiojnë rajonin përpiqen të na bindin që bëhet fjalë për një urrejtje shekullore, por unë nuk e besoj këtë. Mendoj që nacionalizmi modern që i ka vënë komunitetet e ndryshme në Ballkan kundër njëri-tjetrit u bë pjesë e skenës politike të Ballkanit vetëm në fillim të shekullit të 19-të. Më parë kishte pasur periudha të gjata bashkëekzistence mes grupeve të ndryshme në Ballkan. Dhe shpresoj që një gjë e tillë të realizohet përsëri në të ardhmen e afërt. Një nga elementët është ekonomia. Kur të zgjidhen problemet ekonomike, tonet e acaruara nacionaliste do të qetësohen në mënyrë të konsiderueshme dhe do të shohim kthimin e një shkalle harmonie mes komuniteteve të ndryshme. Kyçi është afrimi, madje edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian për serbët, shqiptarët dhe për popujt e Ballkanit në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: T’u hedhim edhe një vështrim zhvillimeve në Shqipëri. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar u duk sikur klima politike ishte qetësuar, por muajt e fundit duket se situata është acaruar përsëri në parlament mes forcës në pushtet dhe opozitës, ashtu edhe me debatet e fundit që kanë të bëjnë sidomos me prokurorin e përgjithshëm. Si i shikoni ju këto zhvillime?

Prof. Bernd Fischer: Sigurisht, që ende ka probleme të mëdha në klasën politike në Shqipëri. Mendoj që duhet të presim për një brez të ri politikanësh që t’i zgjidhë ato. Fatkeqësisht zoti Berisha ka prirjen të jetë një figurë polarizuese dhe t’i rikthehet qendrimit të viteve 1992-1997 përsa i takon mënyrës se si bën politikë. Megjithëse janë bërë disa hapa përpara, si për shembull zgjedhjet e fundit, përsëri mbeten ende probleme shumë serioze. Kam shumë shpresa tek brezi i ri i politikanëve. Disa për fat të keq duke ndjekur shembullin e paraardhësve të tyre, veprojnë si ata. Megjithatë disa të tjerë kanë këndvështrim tjetër dhe shumica e tyre po kërkojnë rrugë të reja në politikë. Unë kam shpresa për njerëz si Edi Rama, apo Ilir Meta dhe Genc Pollo. Mendoj se është në interesin e Bashkimit Evropian dhe komunitetit ndërkombëtar që t’i inkurajojnë këto njerëz dhe t’u kushtojnë më shumë vëmendje ideve të tyre. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar pa dyshim duhet të luajë një rol të rëndësishëm për konsolidimin e stabilitetit politik në Ballkan.

XS
SM
MD
LG