Lidhje

Presidenti Bush rithekson mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për qeverinë irakiane


Presidenti Bush thotë se udhëheqësit e rinj të Irakut janë më të vendosur se kurrë për të arritur sukses, dhe Shtetet e Bashkuara i mbështesin këto përpjekje. Presidenti foli në Shtëpinë e Bardhë pasi u informua nga zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët zhvilluan një vizitë të panjoftuar në Bagdat:

Presidenti Bush thotë se dërgoi Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs the Sekretarin e Mbrojtjes Donald Ramsfeld në Irak për të vlerësuar gjendjen atje dhe për t’i përcjellë një mesazh udhëheqjes irakiane: “Është shumë e rëndësishme që këta dy zyrtarë të lartë të ulen dhe të diskutojnë me udhëheqësit e rinj dhe t’ua bëjnë të qartë se gëzojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe se Amerika dëshiron që ata të arrijnë sukses,” tha zoti Bush.

Presidenti tha se zonja Rajs dhe zoti Ramsfeld u kthyen me përshtypje interesante. Ai tha se ata arritën në përfundimin se udhëheqja irakiane është optimiste, energjike dhe e angazhuar për të arritur sukses. Në komentet që dha në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, duke qëndruar pranë Sekretares së Shtetit Rajs dhe Sekretarit të Mbrojtjes Ramsfeld, Presidenti tha se qeveria e re përfaqëson një fillim të ri për popullin irakian: “Mendojmë se ky është një moment kthese për irakianët, dhe një kapitull i ri për partneritetin tonë”.

Por presidenti theksoi se megjithë përparimin e arritur ditët e fundit, ende ka sfida. Ai tha se informacioni që i dhanë Sekretarja Rajs dhe Sekretari Ramsfeld nuk ishte tepër entuziast, por jepte një vlerësim realist të gjendjes në Irak: “Kemi përpara një periudhë të vështirë, pasi ende ka terroristë në Irak, të cilët janë të gatshëm të marrin jetë të pafajshme, në mënyrë që të ndalin përparimin e demokracisë”. Disa herë gjatë komenteve të tij, Presidenti foli mbi nevojën për unitet në Irak dhe për krijimin e një qeverie që përfaqëson të gjithë popullin e Irakut.

Presidenti i bëri këto komente ndërkohë që një anëtar i lartë i Senatit amerikan ngriti idenë që Iraku të mund të ndahet në tre rajone të veçanta: shiit, kurd dhe suni, me një qeveri qendrore në Bagdat. Senatori Joseph Biden, demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, botoi një shkrim një gazetën New York Times, ku thekson se ky propozim synon që të ruhet një Irak i bashkuar, duke lejuar secilin rajon të ketë në dorë administrimin e vet, ndërsa qeveria qendrore merret me çështjet që prekin interesin e përbashkët.

Shtëpia e Bardhë e cilësoi këtë si një plan për ndarjen e Irakut, dhe e hodhi menjëherë poshtë propozimin. Zëdhënësi Scott McClellan tha se ideja e ndarjes nuk është ngritur nga asnjë udhëheqës irakian dhe nuk gëzon mbështetjen e popullit të Irakut.

XS
SM
MD
LG