Një aeroplan i linjave ajrore armene me 100 udhëtarë u rrëzua në Detin e Zi në afërsi të qytetit turistik rus të Soçit.
Ministria ruse e emergjencave thotë se mbeturinat e avionit mund të shihen në sipërfaqen e ujit. Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, deri tani është nxjerrë trupi i një gruaje, por zyrtarët nuk flasin për njerëz që mund të kenë shpëtuar gjallë.
Avioni ishte i tipit Airbus-320 dhe qe nisur nga kryeqyteti armen Jerevan. Ministria tha se aeroplani u zhduk nga ekranet e radarëve kur ndodhej jo shumë larg aeroportit të Soçit. Ekipet e shpëtimit thonë se koha e keqe po i pengon përpjekjet e tyre.//ii