Lidhje

Uashington: Veton Surroi jep hollësi për planin që do të paraqitet në takimin e Vienës për Mitrovicën

  • Keida Kostreci

Një nga anëtarët e delegacionit të Kosovës në bisedimet për statusin, dha dje hollësi për planin që do të paraqitet në takimin e Vienës për Mitrovicën dhe tha se shpreson që Beogradi ta konsiderojë seriozisht. Kryetari i Partisë Ora, Veton Surroi tha dje në Washington se sipas propozimit Veriu dhe Jugu i qytetit aktualisht të ndarë do të funksiononin si komuna të veçanta të drejtuara nga autoritetet vendore, por do të kishin një asamble qendrore.

Zoti Surroi tha se plani për më shumë të drejta për serbët e Kosovës ka qenë pjesë e një debati të brendshëm që zhvillohet që prej 5-6 muajsh në Kosovë, për të siguruar të ashtuquajturin diskriminim pozitiv për pakicat.

Ai tha se më 4 dhe 5 maj në Vienë delegacioni i Kosovës do të paraqesë dy propozime:

“I pari është që qyteti i Mitrovicës të jetë i bashkuar, por t’i njihen kompetencat administrative ekzistuese: komuna në Jug të lumit do të drejtohet nga organizmat e zgjedhura, ndërsa veriu nga autoritetet që do të zgjidhen në të ardhmen dhe së bashku do të jenë të bashkuara në një strukturë të përbashkët të qytetit, nën drejtimin e një kryetari bashkie si të thuash ndërkombëtar që do të qendrojë atje për një fazë tranzicioni derisa të gjendet një zgjidhje më e mirë, ose derisa dy pjesët e këtij qyteti të ndarë sot të gjejnë një interes të përbashkët”.

Zoti Surroi tha se sipas këtij propozimi, asambleja që do të bashkojë të dy pjesët e qytetit do të merret me çështje të interesit të përbashkët. Ai shtoi se ky propozim dhe një i dytë për krijimin e më shumë komunave, do t’u jepte 80 për qind të serbëve mundësinë që në shkallë të gjerë të administronin vetë jetën e tyre.

Zoti Surroi tha se pala shqiptare shpreson që komuniteti ndërkombëtar dhe Beogradi t’i miratonin këto propozime, megjithëse shprehu mosbesimin se pala serbe është e interesuar për decentralizim në Kosovë, duke u nisur edhe nga qëndrimet në raundet e mëparshme të bisedimeve. Por ai shtoi se është në të mirë të saj që të mbajë qëndrim konstruktiv.

Zoti Surroi tha se propozimi i ri kishte marrë mbështetjen e Grupit të Kontaktit dhe ekipit të të dërguarit të posaçëm Marti Ahtisaari.

Zoti Surroi foli për çështjet që duhet të zgjidhen në Kosovë, nga këndvështrimi i masave që duhen marrë pas përcaktimit të statusit, duke lënë të kuptohet se statusi është çështje pothuajse e përfunduar dhe tani duhet menduar se ç’do të bëhet më pas.

Me këtë frymë ai tha se në diskutimin që u mbajt në Instritutin e Paqes në Washington, se është e rëndësishme të përcaktohet se çfarë forme do të ketë prania ndërkombëtare.

Ndërsa ai tha se mesa duket nuk ka shumë dyshim që NATO-ja do të jetë prania ushtarake që do të mbetet në Kosovë, prania civile është pak më e vështirë.

“Pozicioni ynë megjithëse nuk e kemi shprehur hapur deri tani, është se megjithëse e kuptojmë shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar dhe nevojën për një partneritet në të ardhmen, kjo prani duhet të përkufizohet si mision, më shumë për të mirën e vetë komunitetit ndërkombëtare, pasi në natyrën e burokracisë misionet rikrijojnë vetveten dhe është mirë të ketë një mandat të caktuar”.

Zoti Surroi tha se ky mision duhet të ketë si qëllim të ndihmojë Kosovën dhe rrjedhimisht rajonin që të integrohet në strukturat euro-atlantike.

Kreu i Partisë Ora tha se një nga gjërat që nuk duhen harruar, është se pavarësisht nga statusi, një ditë pasi ai të përcaktohet Kosova do të ketë përsëri të njëjtat probleme ekonomike dhe papunësi të lartë që duhen zgjidhur, kështu që sfidat e jetës së përditshme janë ato për të cilat duhet të mendojnë autoritet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar.//ii

XS
SM
MD
LG