Lidhje

Diskutim: Roli i Greqisë në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE


“Ballkani Perëndimor vazhdon të ndodhet në udhëkryq”, thotë Angelos Pangratis, zëvendës-kryetar i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Washington. Vitet e fundit kemi dëshmuar shumë zhvillime pozitive, por duhet të ruhemi nga ndjesia e sigurisë së rreme, thotë ai. Varfëria dhe dëshpërimi mund ta zhysin përsëri rajonin, nëse gabojmë”.

Ai thotë se objektiv për këtë vit është zgjidhja e çështjes së statusit të Kosovës dhe Malit të Zi dhe dorëzimi në Hagë i të akuzuarve të fundit nga Gjykata për Krimet e Luftës. “Zgjidhja e këtyre çështjeve, do t’i hapte rrugë shqyrtimit të objektivave afatgjatë, siç janë zhvillimi ekonomik i rajonit dhe integrimi evropian”.

Zoti Pangratis thotë se prespektiva e përfshirjes në Bashkimin Evropian është forcë shtytëse për ndryshimet që po ndodhin “në këtë pjesë të vështirë të kontinentit”. Ai thekson se pranimi i vendeve-kandidate varet, si nga plotësimi i standardeve të Bashkimit Evropian për zhvillim politik e ekonomik dhe aftësia e tyre për të përmbushur detyrimet që sjell anëtarësia, ashtu dhe nga aftësia e organizatës për thithjen e vendeve të reja anëtare.

Po ç’peshë kanë marrëdhëniet e vendeve-kandidate, fqinje me Greqinë, si, për shembull, Shqipëria, dhe çështjet e diskutueshme ndërmjet tyre në përpjekjet për anëtarësim? Ambasadori i Greqisë në Uashington, Aleksandër Mallias, thotë se imigrantët përbëjnë 10 për qind të popullsisë në Greqinë e sotme. Ai thotë se shumica e tyre janë integruar mirë në shoqërinë greke dhe njëkohësisht ndihmojnë familjet e tyre. “Mund të argumentoj pa vështirësi që paratë e dërguara nga punëtorët shqiptarë në atdhe kanë qenë një nga nxitësit më të fortë të zhvillimit dhe ekonomisë në Shqipëri”.

Po çfarë çmimi paguajnë shumë prej tyre për paratë që u dërgojnë familjeve? Si trajtohen ata dhe sa ndikojnë në jetën e shumë prej tyre dukuritë e ksenofobisë dhe racizmit që janë të pranishme në mjaft vende të botës? Ambasadori Mallias thotë se gjendja ka ndryshuar: “Do të përpiqem të provoj të kundërtën. Sipas një ankete të kohëve të fundit në Greqi, nga organizata të besueshme. Të anketuarit u pyetën nëse besojnë që myslimanët kanë të drejtë të fyhen nga botimi i karikaturave në Danimarkë. 65 për qind u përgjegjën se po, 23 për qind u përgjegjën jo dhe 12 për qind nuk dhanë mendim. Nuk mendoj se këto shifra flasin për racizëm. Që nga mesi i viteve ’90, shumë gjëra kanë ndryshuar”.

Greqia, ndërkaq, ka treguar interes në shtrirjen e tregut të vet në vende të tjera ballkanike në disa sektorë, si energjia, telekomunikacioni, agrobiznesi, ndërtimi etj. Ambasadori Mallias thotë se Greqia ka marrë disa nisma për integrimin ekonomik të rajonit, duke përmendur si shembull traktatin rajonal mbi energjinë. “Ka shumë projekte të tjerë ku është përfshirë edhe Greqia, po vetëm një naftësjellës funksionon deri tani, ai që lidh Shkupin me Selanikun. Dhe mendoj se do të ishte e zgjuar politikisht dhe ekonomikisht me përfitim, nëse ky naftësjellës shkon deri në Prishtinë. Do të jetë e rëndësishme për ekonominë dhe të ardhmen e Kosovës që të ketë një naftësjellës që ta ushqejë me naftë”.

Ambasadori thotë se politika e jashtme e Greqisë është politikë e së sotmes, e cila motivohet jo nga bamirësia, por nga interesi, “interesi i mirë”. Ndërsa, përsa i përket Bashkimit Evropian, e përshkruan si një organizatë në konsolidim e sipër.

Përfundimisht, të dy diplomatët janë të një mendjeje se, megjithë përparimet dhe zhvillimet në rajon, vende kandidate duhet të bëjnë përpjekje shumë energjike që një ditë të pranohen në organizatë. //az//

XS
SM
MD
LG