Lidhje

Gazetarët pa Kufij: Qeveritë duhet të parandalojnë dhunën ndaj gazetarëve


Në ditën botërore të Lirisë së Shtypit, një nga organizatat kryesore që mbikqyr mediat po u bën thirrje qeverive të mos lejojnë dhunën kundër gazetarëve dhe të mos i lënë pa ndëshkuar fajtorët. Në raportin e saj të fundit, organizata Gazetarët Pa Kufij thotë se profesioni i gazetarisë është bërë gjithnjë e më i rrezikshëm.

Organizata joqeveritare, Gazetarët Pa Kufij njofton se 2005 ishte viti që solli më shumë vdekje për gazetarët në dekadën e fundit. Nga 63 profesionistë të medias që humbën jetën ndërsa kryenin detyrën, 27 prej tyre vdiqën në Irak, thotë Lucie Morillon e kësaj organizate. “Konflikti në Irak është padyshim më vdekjeprurësi për median që nga Lufta e Dytë Botërore. Është edhe më vdekjeprurës se sa lufta e Vietnamit,” thotë zonja Morillon.

Megjithatë, ajo thekson se shumica e gazetarëve që humbën jetën në vitin 2005 nuk gjetën vdekjen në zjarrin e konfliktit. Ajo thotë se ata që paguan çmimin më të shtrenjtë ishin më shumë gazetarë investigues sesa korrespondentë lufte. Zonja Morillon thotë gjithashtu se qeveritë shtypëse i lenë pa ndëshkuar sulmet mbi median. “Mungojnë ndëshkimet në shumicën e rasteve. Rreth 95 përqind e rasteve të vrasjeve të gazetarëve nuk janë zgjidhur”.

Raporti për lirinë e shtypit në Evropë gjatë 2005-ës është i përzjerë thotë Marillon. Liria e shprehjes shënoi përmirësim në vendet e reja anëtare të Bashkimit Evropian, por po keqësohet në ish vendet sovjetike. Liria e shtypit u përmirësua në Ukrainë dhe Gjeorgji, por pati tendenca negative në Rusi, Bjellorusi dhe Uzbekistan.

Në Rusi shtypja e gazetarëve apo deskreditimi i tyre si agjentë të huan është bërë armë për të kontrolluar ambjentin politik thotë Morillon. “Në vitin 2005, situata në Rusi është keqësuar. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të harrojë se nuk ka pluralizëm në informacionin në Rusi, përveç medias së shkruar. Kur flasim për median transmetuese të gjitha kanalet televizive janë në dorë të Kremlinit”.

Raporti i organizatës Gazetarët Pa Kufij sheh rritje të kërcënimeve për gazetat e pavarura në Rusi dhe një bllokim të plotë të lajmeve nga Çeçenia. Organizata Gazetarët Pa Kufij thotë se liria e shtypit në Ballkan gjatë 2005 vazhdoi të jetë e paqëndrueshme: “Liria e shprehjes është më mirë sesa ç’ishte disa vjet më parë në kohën e konflikteve. Por ne ende jemi të shqetësuar për situatën, e cila nuk është ajo që duhet të jetë”.

Organizata thotë se një gazetar u vra në Kosovë në 2005ën. Një numër gazetarësh janë kërcënuar me vdekje në Serbi dhe të paktën një gazetar është sulmuar në Shqipëri. Organizata thekson se sulmet mbi lirinë e shprehjes do të jenë më të pakta në se sulmuesit identifikohen dhe dënohen. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shpalli për herë të parë ditën e lirisë së shtypit në vitin 1993. //ad//

XS
SM
MD
LG