Lidhje

Surroi: Plani për Mitrovicën gëzon mbështetjen ndërkombëtare


Të enjten në Vienë u hap raundi i katërt i bisedimeve për decentralizimin në Kosovë, kur pritej të paraqitej plani i ri për ndarjen komunale të Mitrovicës. Veton Surroi, një nga propozuesit e planit dhe kryetar i këshillit konsultativ për pakicat thotë se për realizimin e tij duhet një mirëkuptim nga popullsia dhe besim tek hartuesit e tij. Zoti Surroi, i cili ishte këto ditë këtu në Uashington, para largimit tha për Zërin e Amerikës se ka ardhur koha që të hidhet vështrimi tek zhvillimet pas statusit.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi megjithëse plani për Mitrovicën parashikon një kryetar bashkie ndërkombëtar, efektivisht duket se është një ndarje, sepse si Veriu, si Jugu do të kenë një autonomi të mjaftueshme. Pra duket si rregullim fjalori kur thuhet qe Mitrovica do të jetë e bashkuar. Cili do të ishte komenti juaj?

Veton Surroi: Nuk bëhet fjalë për ndarje. Bëhet fjalë për përpjekje për unifikim, bashkim të qytetit. Meqenëse administratori ndërkombëtar i kësaj bashkie të dy pjesëve do të bëjë përpjekje që në baza funksionale të interesit të krijojë konditat e bashkimit, në çështje të ujit, të rregullimit hapësinor, në çështje me të cilat merren zakonisht bashkitë.

Bëhet fjalë për një investim të përbashkët të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Ky plan tashmë ka hasur në mbëshetje të grupit të kontaktit. Shpresojmë që pas negociatave të Vienës do të përpunohet edhe më tutje dhe të kemi një qasje serioze të bashkësisë ndërkombëtare e cila po ashtu e ka ngrirë si të themi, ndarjen në qytetin e Mitrovicës.

Zëri i Amerikës: Reagimet e para nga Kosova, si nga shqiptarët, ashtu edhe nga serbët nuk kanë qenë pozitive për propozimin tuaj. Si mund t’ia dilni juve që ky plan të jetë i miratuar nga bashkësia ndërkombëtare, por gjithashtu të gëzojë edhe mbështetjen e popullsisë në Kosovë?

Veton Surroi: Po është vështirë, por duhet pasur edhe një mirëkuptim. Kjo nuk është qasje e njërës parti, apo e njërit individ. Kjo është një qasje që propozohet nga i tërë spektri politik, i cili mbulon shumicën në Kuvendin e Kosovës, edhe si të tillë duhet pasur një mirëkuptim nga ana e qytetarëve sepse kjo është një përpjekje që po bëhet edhe nga pushteti, edhe nga opozita për të bashkuar qytetin e Mitrovicës.

Zëri i Amerikës: A mund të na thoni diçka më shumë për negociatat, ndërkohë që në skenën politike shqiptare në Kosovë, ka filluar tashmë të flitet se çfarë do të bëhet në Kosovë pas statusit?

Veton Surroi: Për ne kosovarët është e përcaktuar, do të thotë që ne po bëjmë një proces negociator, i cili nuk është përcaktues i statusit, por është përcaktues i rregullimit të marrëdhënieve pasi të fitohet pavarësia e Kosovës. Të gjitha këto çështje që kanë të bëjnë me rregullimin e pushtetit lokal, të gjitha këto çështje që kanë të bëjnë me qasjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare të tjera janë çështje të cilat duhen negociuar tani sigurisht, por të cilat do të aplikohen në momentin e pavarësisë. Ajo që është, më duhet të theksoj e rëndësishme, është se kjo qasje aktive e palës kosovare ka hasur në përkrahje të Grupit të Kontaktit, por kjo nuk është e mjaftueshme në kuptimin e asaj se si duhet të zhvillohen negociatat. Negociatat sipas mendimit tonë duhet të shpejtohen dhe duhet të tejkalojnë fazën e tanishme të prezantimit dhe qëndrimeve të ndryshme, sepse në fakt ne nuk i prezantojmë këto qëndrime, për shkak se mendojmë se duhet gjetur ndonjë gjuhë e përbashkët me Beogradin, por sepse mendojmë që gjithë palët e përfshira në procesin negociator mund të ndihmojnë.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për praninë ndërkombëtare pas statusit në Kosovë. Ideja juaj është një ky mision të ketë një mandat të veçantë dhe të përcaktuar mirë nga ana civile. Pse është kaq e rëndësishme një gjë e tillë?

Veton Surroi: Ne kemi parë me mandatin e Kombeve të Bashkuara, me mandatin e UNMIK-ut i cili ka qenë i papërcaktuar, i hapur dikush do të thoshte edhe bosh, kemi parë sesi mund të keqpërdoret një mungesë e mandatit për të vazhduar dhe për t’u marrë me një mision i cili nuk ka ndonjë qëllim të veçantë. Prandaj është me rëndësi që prania e ardhshme ndërkombëtare në Kosovë, kjo është pjesë e obligimeve të grupit të kontaktit, të ketë si fokus, si qëllim të vetin ristrukturimin e shoqërisë kosovare që përgatitet për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në këtë mënyrë misioni do të ishte i kapshëm dhe i matshëm.

Zëri i Amerikës: Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, ju keni patur takime edhe me ambasadorin Frank Wisner, si edhe me zyrtaren e Departamentit të Shtetit Rosemary di Carlo. A mund të na thoni diçka më hollësisht për këto takime?

Veton Surroi: Qëndrimi i tyre është natyrisht angazhimi për standarde e të tjera, por është po ashtu edhe për mënyrën sesi disa prej iniciativave tona që kanë të bëjnë posaçërisht me minoritetet të marrin një theks më të veçantë, më të veçuar në procesin negociator. Kjo sepse në momentin kur ne kemi përfunduar dokumentin rreth minoriteteve, në fakt kemi shpjeguar se cilat do të jenë marrëdhëniet e ardhshme mes shumicës dhe pakicës në Kosovë dhe këto janë çështje që po të aprovohen dhe janë shumë më të avancuara se në shumë shtete të tjera evropiane, atëherë bie tensioni se çfarë do të jenë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe të themi serbëve, apo boshnjakëve, apo të tjerëve. Atëherë këtu do integruar një proces legjislativ dhe nuk duhet shpenzuar më tepër kohë. Nuk kemi pse të shpikim edhe modele të tjera që nuk do të ishin ndoshta aq efikase.

XS
SM
MD
LG