Lidhje

Lampe: Zbatimi i reformave duhet të jetë përparësia kryesore e Shqipërisë


Analisti i çështjeve ballkanike Xhon Lampe, i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe përshëndet përpjekjet e qeverisë aktuale për të luftuar korrupsionin. Por ai paralajmëron se këto përpjekje nuk duhet të bëhen pengesë për përparësinë kryesore: zbatimin e reformave që janë kusht për integrimin e vendit në strukturat evropiane. Dr. Lampe, ishte i ftuar në Qendrën Woodrow Wilson në Uashington për të prezantuar librin e tij të ri "Ballkani, Përsëri në Evropën Juglindore".

Dr. Lampe sapo është kthyer nga Shqipëria, vizita e tij e parë në këtë vend. Ai shprehet me entuziazëm për energjinë që vërejti tek shqiptarët, dhe gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në Evropë. Profesori përshëndet përpjekjet e qeverisë së re në luftën kundër korrupsionit: "Angazhimi në luftën kundër korrupsionit është i rëndësishëm, në një vend ku tregu i aksioneve nuk ekziston ende, dhe ku interesit dhe entuziazmit për Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit duhet t’i përgjigjet një kornizë institucionesh e cila duhet të përfshijë një gjyqësor të pavarur, një qeverisje që i përmbahet ligjit, struktura financiare të pavarura që do të ndihmojnë zyrtarizimin e ekonomisë shqiptare."

Megjithatë, ai thekson se përparësia kryesore e qeverisë duhet të jenë reformat dhe paralajmëron se po shpenzohet shumë kohë dhe shumë kapital politik pa ndonjë rezultat konkret: "Vërejta një ndjenjë tensionimi në Tiranë, si nga ana e shqiptarëve ashtu edhe nga ana e ndërkombëtarëve, si rrjedhojë e vonesave me të cilat po ndeshen planet e qeverisë për reforma që kanë rezultuar nga përplasjet e forta politike. Ndërkohë muajt kalojnë dhe nuk po shihet përparim në reformat që priteshin me shumë shpresa nga shqiptarët."

Për mbarë rajonin, përfshirë Shqipërinë, profesori thekson si nevojë themelore decentralizimin e pushtetit, për t’i dhënë lirshmëri veprimi pushtetit lokal dhe për të hapur tregun për investitorët e huaj: "Në mënyrë që të tërhiqet kapitali i huaj, procesi i decentralizimit duhet të zhvillohet në një formë të tillë që bankat, të brendshme dhe të huaja të veprojnë lirisht për ta shkëputur sistemin bankar nga kontrolli shtetëror."

Në Shqipëri, thotë zoti Lampe, ky proces ka dhënë rezultat me futjen e kapitalit të huaj financiar, i cili ka rritur sasinë e kredive dhe po i jep shtytje biznesit: "Në Shqipëri ka rreth 14 banka të huaja, dhe megjithëse nuk ka një konkurencë krejt të lirë, përqindjet e interesave kanë rënë, është rritur sasia e kredive, gjë që ka zvogëluar përqindjen e biznesit që zhvillohet me para në dorë."

Dr. Lampe i analizon zhvillimet e Ballkanit nga një këndvështrim historik, dhe gjen të përbashkëta të shumta në të kaluarën e këtij rajoni, si ndërrime qeverish, kufijsh, sistemesh politike dhe zhvendosje popullsish në një masë shumë më ekstreme sesa Evropa perëndimore. Si rrjedhojë, vetë emri Ballkan, ka marrë ngjyrim negativ. Libri i tij i ri, i titulluar “Ballkani, përsëri në Evropën Juglindore,” ngre idenë se integrimi i vazhdueshëm i këtij rajoni në pjesën tjetër të Evropës është e vetmja zgjidhje e problemeve.

Ai vëren me optimizëm se edhe vetë udhëheqësit e vendeve ballkanike janë angazhuar për forcimin e lidhjeve rajonale, heqjen e pengesave tregtare dhe identifikimin e strategjive të përbashkëta për integrimin në strukturat evropiane: Lampe "Në Tiranë kam vërejtur një gatishmëri të përgjithshme për të luajtur një rol rajonal konstruktiv. Këtë e kam vënë re edhe në Greqi, edhe në vizitën që zhvillova në vjeshtë në Shkup, kjo prirje ekziston edhe në Zagreb, dhe biles edhe në disa elementë në Beograd."

Ai përshëndet gatishmërinë e autoriteteve shqiptare për të ecur në drejtim të bashkëpunimit rajonal, pa ndonjë prirje, thotë ai, për ndërhyrje në çështjen e Kosovës, përveç dëshirës që mbarë rajoni i Ballkanit perëndimor të shënojë përparim. //ad//

XS
SM
MD
LG