Lidhje

Nënpresidenti Çeni akuzon Rusinë se po kufizon të drejtat e qytetarëve


Nënpresidenti amerikan Dik Çeni akuzoi Rusinë se po kufizon të drejtat e qytetarëve të saj dhe se po përdor burimet energjitike për shantazh politik. Në të njejtën kohë, zoti Çeni vlerësoi udhëheqësit e vendeve që po shkëputen nga epoka sovjetike. Zoti Çeni i bëri këto komente gjatë një konference në Lituani me pjesëmarrjen e udhëheqësve të Evropës Lindore dhe republikave balltike.

Në një fjalim me tone të forta, nënpresidenti Dik Çeni tha se “kundërshtarët e reformave” në Rusi synojnë të eliminojnë arritjet e shënuara gjatë dekadës së fundit. Për kontrast, ai vlerësoi, atë që e quajti, përparim të vendeve të Evropës Lindore, që pas përmbysjes së ish Bashkimit Sovjetik. Shumica e udhëheqësve të këtyre vendeve ishin pjesëmarrës në konferencën e organizuar në ish republikën sovjetike të Lituanisë.

Zoti Çeni tha se bashkimi demokratik i Evropës është rruga më e mirë për të siguruar paqen në kontinent dhe ai e kritikoi Kremlinin për shtimin e kontrollit ndaj shtypit dhe jetës politike.

Zoti Çeni tha se Kremlini përdor kontrollin e tij thuajse absolut mbi gaz-sjellësit, si një armë politike. “Masat e tjera të qeverisë ruse kanë qënë kundër-produktive dhe mund të fillojnë të ndikojnë në marrëdhëniet me vendet e tjera. Kur gazi dhe nafta përdoren si mjete kërcënimi, përmes manipulimit të rezervave, ose përmes monopolizimit të transportit, kjo nuk i shërben asnjë interesi legjitim. Dhe askush nuk mund të justifikojë veprimet që minojnë integritetin territorial të fqinjit.”

Shumica e Evropës varet nga Rusia për gazin dhe i ndjeu pasojat në janar, kur kompania shtetërore e gazit, Gazprom, ndërpreu furnizimin për Ukrainën për shkak të një mosmarrëveshje çmimi. Ndërprerja shkaktoi mungesa në mbarë Evropën, dhe Rusia u kritikua ashpër pikërisht ndërsa po fillonte mandatin 1 vjeçar në krye të Grupit të 8-shes dudke premtuar të punonte për sigurinë e burimeve energjitike.

Zoti Çeni e filloi vizitën në Lituani me një takim pune me Presidentin e Ukrainës Viktor Jushçenko, ardhja e të cilit në pushtet gjatë të ashtuquajturit Revolucioni Portokalli, në dhjetor të vitit 2004, zemëroi Kremlinin. Zoti Jushçenko, ka shprehur shpresë se vendi i tij, një ditë, do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në Nato. “Zhvillimet në Ukrainë, janë shumë të rëndësishme. Të gjithë ne i mbështesim zhvillimet që çojnë në liri dhe demokraci dhe Ukraina ka arritur përparim të ndjeshëm dhe ne do të bëjmë ç’është e mundur për t’i ndihmuar në të armdhen.”

Nënpresidenti i ofroi garanci edhe Rusisë kur tha se Presidenti Bush do të marrë pjesë këtë vit në takimin e nivelit të lartë të 8-shes, që do të zhvillohet në Rusi, megjithë thirrjet e disa anëtarëve të Kongresit për ta bojkotuar takimin. Ai tha se Presidenti Bush në takimin me Presidentin Putin, do të argumentojë se “Rusia nuk ka pse të ketë frikë dhe do të ketë vetëm përfitime nga demokraci të qëndrueshme dhe të forta në kufijtë e saj”.

Ndërsa për Bjellorusinë dhe udhëheqësin e saj Aleksandër Lukashenko, i cili shpesh është cilësuar si “diktatori i fundit i Evropës”, Nënpresidenti Çeni bëri kritika të ashpra. Nën presidenti tha se gjatë konferencës së Lituanisë, ai kishte në plan të takohej me udhëheqësin e opozitës në Bjellorusi Aleksandër Milinkeviç.

Por zoti Milinkeviç është duke vuajtur dënimin me 15 ditë burgim, për pjesëmarrje në një miting politik javën e kaluar, për të cilin nuk ishte dhënë leje. Zoti Milinkeviç ishte rivali kryesor i zotit Lukashenko në zgjedhjet presidenciale të marsit që komuniteti ndërkombëtar nuk i cilësoi si të lira e të drejta. //ad//

XS
SM
MD
LG